Komuna e Prishtinës ka afat prej 15 ditësh që të sigurojë lejen ujore për deponinë e re në Matiçan, ku grumbullohen mbeturinat inerte dhe vëllimore. Në rast të kundërt, Ministria e Mjedisit ka paralajmëruar masa. Nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje e njohësit e çështjeve të mjedisit vlerësojnë se afati i dhënë është i shkurtër
Ministria e Mjedisit ka paralajmëruar masa ndaj Komunës së Prishtinës në rast se nuk pajiset me leje ujore për deponinë e mbeturinave në Matiçan brenda afatit prej 15 ditësh.
Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo ministri kanë thënë se leja është obliguese para se të shfrytëzohet prona.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka dhënë afat prej 15 ditësh për t’u pajisur me pëlqim ujor, që është obligativ para se ta shfrytëzojë atë pronë. Në rast se Komuna e Prishtinës nuk zbaton vendimin nga ana e Inspektoratit Mjedisor, atëherë Inspektorati do të marrë masa konform bazës ligjore në fuqi, neni 49 të Ligjit për Inspektoratin e MMPH-së nr. 04/L-175”, ka bërë të ditur Fatri Zhitia, zyrtar i Ministrisë së Mjedisit.
Komuna e Prishtinës që nga e enjtja nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje.
E njohësi i çështjeve të mjedisit, Ilir Morina, vlerëson se Komuna e Prishtinës do të duhej t’i përcillte udhëzimet administrative, por, sipas tij, edhe Ministria e Mjedisit do të duhej të vepronte më herët.
Po ashtu ai theksoi se mungon dialogu mes palëve dhe se 15 ditë nuk janë të mjaftueshme për t’i kryer të gjitha procedurat e nevojshme.
“Ligji i Kosovës parasheh një deponi të konstruksionit të demolimit dhe kriteret që duhet të plotësohen për ndërtimin e saj, përfshirë nivelin e ujërave nëntokësore. Për një deponi sanitare lejohet që ujërat nëntokësore të jenë vetëm gjysmë metri, por duhet të vendosen folie speciale dhe argjilë speciale si pjesë e kritereve. Mirëpo këto kritere nuk kërkohen në mënyrë të prerë për 15 ditë, në momentin kur aty janë hedhur mbi qindra kamionë me mbeturina. Këtu po e shoh që qasja është e gabuar dhe mungon dialogu mes Komunës dhe Ministrisë”, ka thënë Morina.
Edhe njohësi tjetër i çështjeve të mjedisit, Zeqir Veselaj, vlerëson se ky afat i vënë nga Ministria e Mjedisit nuk është i mjaftueshëm.
“Procedurat sipas UA për Procedurën e Lejes Ujore 03/2018 zgjasin: derisa autoritetet ta vlerësojnë studimin, të organizojnë diskutimin publik (5–30 ditë) dhe derisa të merret vendimi final (15 ditë pas vlerësimit të deklaratave të palëve). Nga kjo perspektivë nuk e shoh të realizueshme këtë procedurë brenda 15 ditëve, duke pasur parasysh edhe zvarritjet burokratike që nuk janë të rralla në vendimmarrjen e institucioneve”, është shprehur Veselaj.
Sipas Veselajt, për të përmirësuar situatën mjedisore, pushteti lokal dhe ai qendror nuk duhet të vendosin pengesa, por të ndihmojnë në respektimin e dispozitave ligjore.
Bazuar në afatin e Ministrisë për Komunën për të siguruar lejen ujore kanë mbetur edhe një javë kohë.
Deponia në Matiçan është hapur para pak javësh dhe aty grumbullohen mbeturinat inerte dhe ato vëllimore.