Ministria e Mjedisit e ka vlerësuar të kundërligjshëm vendimin e Kuvendit Komunal të Lipjanit që synon ndryshimin e harmonizimin e hartës zonale, pas disa gabimeve teknike të rreth tetë muajve më parë.
Si pasojë e këtyre gabimeve, në dhjetëra raste është bllokuar zhvillimi i qytetit në sferën e ndërtimeve. Nga 45 kërkesa për ndërtime, 27 prej tyre janë refuzuar, shkaku i mosplanifikimit të vijës së ndërtimit, mospërputhjeve ndërmjet koeficientit të ndërtimit, etazhitetit dhe vlerës së përcaktuar për shfrytëzimin e sipërfaqes ndërtimore, si dhe vlerës së përcaktimit të gjerësisë së ballit apo frontit përgjatë rrugëve.
Opozita në këtë qytet po e akuzon qeverisjen lokale se për katër vjetët e ardhshëm qytetarët do të përballen me kritere të rënda për marrjen e lejeve ndërtimore, për shkak të gabimeve të zyrtarëve komunalë.
Arsim Jashari, shef i grupit të kuvendarëve nga radhët e PDK-së, ka thënë se janë duke e përgatitur një kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Komisioni ka qenë i njëanshëm, nuk ka qenë i përgjegjshëm, nuk i ka dëgjuar konsultimet e ekspertëve dhe të ekspertëve që kanë qenë për të marrë gjendjen faktike dhe tash jemi kthyer në piken zero, dhe këtë keqpërdorim duhet ta iniciojmë me një kallëzim penal, sepse kjo përbën keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përbën elemente të veprës penale. Dhe, dikush duhet të dalë para drejtësisë”, ka thënë Jashari.
Ndërkaq Alban Salihu, kuvendar nga LVV-ja, ka thënë se me kohë e kanë njoftuar pushtetin se hartat zonale nuk mund të ndryshohen brenda katër vjetëve.
“Ne nuk kemi votuar që ky ndryshim të bëhet, kjo vjen si pasojë e mungesës dhe dijes gjatë hartimit të hartave zonale ku e kanë sjellë në situatë kaotike, me ç’rast bizneset dhe qytetarët e kanë të pamundur ose shumë të vështirë të marrin leje të ndërtimit”, ka thënë, midis të tjerash, Salihu.
Ndërkaq në vendimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, midis të tjerash, thuhet se pas shqyrtimit të përmbajtjes së vendimit të Komunës së Lipjanit për fillimin e procedurës për përmirësimin dhe harmonizimin e mospërputhjeve të vlerave të veçanta teknike të përcaktuara në hartën zonale të miratuar nga Kuvendi, vlerësojnë se akti është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.
“MMPHI-ja konstatoi se vendimi Nr.15-350/01-11334 i miratuar në KK të Lipjanit është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, dispozitat e Udhëzimit Administrativ të MMPH-së mbi numrat teknikë të planifikimit hapësinor dhe dispozitat e Udhëzimit Administrativ të MMPH-së mbi elementet dhe kërkesat themelore për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e Hartës Zonale të Komunës, për shkak se dispozitat e të njëjtave nuk parashohin mundësinë e fillimit të procedurës për përmirësimin dhe harmonizimin e mospërputhjeve të vlerave të veçanta teknike të caktuara me hartat zonale të komunave”, thuhet, midis të tjerash, në vendim.
MMPH-ja më tej sqaron se Komuna duhet të veprojë sipas vlerësimit të ligjshmërisë së aktit komunal nga MMPHI-ja, që të marrë vendim të drejtë dhe të ligjshëm konform dispozitave ligjore në fuqi, jo më vonë se afati i paraparë në diapozitivat e nenit 9 të Rregullores së QRK-së nr.06/2021 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores QRK nr.10/2019 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave.
Në anën tjetër drejtori i Urbanizmit në Komunën e Lipjanit, Imri Semetishti, nëpërmjet telefonit ka thënë se Ministria është dashur ta trajtonte vendimin në mënyrë serioze, në mënyrë që të hapej rruga për korrigjimin e gabimeve. “Me ligj është e rregulluar që para 4 vjetësh nuk mund të iniciohet procedura e ndryshimit të hartës zonale, tash nuk mund ta paragjykojmë se çka do të ndodhë brenda kësaj periudhe, por ligjërisht nuk e kemi atë mundësi dhe kemi qenë të vetëdijshëm që nuk e kemi atë mundësi ligjore për plotësim dhe ndryshim”, ka thënë ai.