Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është duke vazhduar sistemimi i stafit në pozitat e larta drejtuese, të cilat deri tani janë mbajtur me ushtrues detyre. Por ky dikaster nuk ka sqaruar ende nëse është zgjidhur problemi me drejtorin e përgjithshëm - ku ministres së re i ishin prezantuar dy zyrtarë me këtë pozitë
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka treguar nëse është zgjidhur problemi i trashëguar nga pushteti i kaluar me drejtorin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme.
Ministrja e re, Donika Gërvalla, i kishte gjetur në Ministri dy zyrtarë që i janë prezantuar si drejtorë të përgjithshëm: Visar Fetajn dhe Albert Prenkaj.
Me vendim të ministres paraprake, Meliza Haradinaj, Fetaj u bë ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm, pasi e kishte larguar nga kjo pozitë Prenkajn. Por në fund të shkurtit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i hodhi poshtë të gjitha vendimet kundër tij dhe e obligoi Ministrinë ta kthente në detyrën e drejtorit të përgjithshëm.
KOHA ka raportuar se në takimin me drejtorët e departamenteve, Prenkaj demonstrativisht e ka lëshuar sallën.
Mungesa e ambasadorit shihet edhe në foton e publikuar pas pranimit të detyrës nga ministrja Gërvalla.
Por në disa takime të mëvonshme të ministres, sikurse ai me ambasadorin e SHBA-së dhe atë të Norvegjisë, afër Gërvallës shihet edhe Prenkaj. Megjithatë, në komunikatat e MPJD-së nuk përmendet se në çfarë kapaciteti.
Veç MPJ-së sqarime nuk kanë ofruar as Prenkaj e Fetaj.
Drejtori Prenkaj ishte pezulluar nga Meliza Haradinaj me arsyen se ka refuzuar kërkesën e ministres për të marrë pjesë në një video-konferencë me shefa të misioneve diplomatike; ia ka ngritur zërin një këshilltareje të ministres; si dhe nëpërmjet një statusi në Facebook e ka dëmtuar imazhin e Kosovës, kur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur “autokrat”, pas vendimit për ta rrëzuar Teatrin Kombëtar.
Prenkaj pati thënë se nuk ka pasur reagime zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë drejtuar MPJD-së në Kosovë përkitazi me statusin për kryeministrin Rama.
Ndërkohë MPJ-ja është duke vazhduar me sistemimin e stafit të brendshëm.
Së fundmi, gjashtë muaj pas ushtrimit të kërkesës, ish-konsulli Agron Maloku është vendosur në pozitën e drejtorit për financa dhe shërbime të përbashkëta, post që mbahej me ushtrues detyre.