Edhe pse është paralajmëruar që në mes të vitit do të dërgohet për rishikim buxheti për vitin 2021, Ministria e Financave nuk ka dhënë një datë se kur do të dërgohet në Qeveri ky projektbuxhet. Por, buxheti i është nënshtruar procesit të rishikimit nëpër ministri. Ndryshime do të ketë edhe në projeksionet buxhetore. Të hyrat e Doganës dhe ATK-së tregojnë për një trend pozitiv të të hyrave
Buxheti për vitin 2021 i është nënshtruar procesit të rishikimit, por Ministria e Financa, Punës dhe Transfereve nuk ka treguar se kur do ta përcjellë për miratim në Qeveri.
Ka 12 ditë që KOHA ka dërguar pyetje në këtë institucion lidhur me ndryshimet që do të pësojë buxheti, por nuk ka marrë përgjigje.
Nga buxheti i vitit 2021, pritet të largohen projektet e parapara me memorandume mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave në vlerë prej 18 milionë e 500 mijë euro.
Kjo ministri do të heqë dorë edhe nga studimi i fizibilitetit për autostradën e Dukagjinit në vlerë prej 200 mijë euro. Por, pritet të rritet buxheti për shpronësime, pasi vlera e borxhit për shpronësim është 182 milionë euro, ndërsa buxheti për këtë vit për shlyerje të këtij borxhi është 7.2 milionë. Me rishikim pritet të shtohen 15 milionë euro.
Edhe Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që me rishikim të ndahen mjete për shtimin e 4 prokurorëve specialë, 6 bashkëpunëtorëve profesionalë dhe dy përkthyesve. Këto mjete do të barten nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në llogarinë e tij në Facebook njoftoi se me anë të procesit të rishikimit të buxhetit, Ministria ka arritur të sigurojë 5.2 milionë euro nga planifikimet për shpenzime sipas tij, të panevojshme.
Rishikimi buxhetor parashihet që të bëhet edhe shkaku i ndryshimeve të projeksioneve. Të dhënat e Doganës dhe ATK-së tregojnë për një trend pozitiv të të hyrave krahasim me vitin e kaluar. Të hyrat janë rritur mbi 27 për qind.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se për herë të parë janë arkëtuar mbi 500 milionë euro në pesë muajt e parë të këtij viti, apo 27.6 për qind më shumë se në pesë muajt e parë të vitit të shkuar.
“Dogana në këtë periudhë kohore ka mbledhur rreth 516 milionë euro, e cila në krahasim me vitin e kaluar, shënoi një rritje prej 26% ose 111 milionë euro më shumë. Vitin e kaluar kemi pasur rreth 404 milionë euro dhe ka ndikuar edhe pandemia, por sidoqoftë trendi i rritjes së të hyrave është pozitiv”, ka theksuar ai.
Sipas tij, që nga themelimi i Doganës deri më tani nuk ka ndodhur që të kalohet gjysmë miliardi të hyra në pesë muajt e parë të vitit.
Edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se ky institucion gjatë periudhës së parë pesë mujore të vitit 2021, ka arritur të inkasojë rreth 243 milionë euro, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rezulton që ka rreth 57 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër.
“Gjatë kësaj periudhe, pesë mujore të këtij viti mund të themi që kemi një rikthim të normalitetit të pagesës së tatimeve ku performanca e deritanishme tregon se jemi në një trend jashtëzakonisht të mirë duke arritur që të inkasojmë rreth 243 milionë euro, shumë kjo e cila nëse krahasohet më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar rezulton që kemi rreth 57 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër”, ka theksuar ai.
Murtezaj ka thënë se kjo periudhë kohore karakterizohet edhe me rritje prej 27 për qind të qarkullimit, që kap vlerën e 822 milionë eurove.
“Këta janë indikatorë që na bëjnë të besojmë që të ngrihen edhe targetet për pjesën e mbetur të vitit. Deri më tani, po pretendojmë bazuar edhe me komunikimet që kemi me Ministrinë e Financave, që të kemi një ngritje të targetit të inkasimit të të hyrave për rreth 32 milionë euro për pjesën e mbetur të vitit aktual”, ka theksuar ai.
Para ardhjes në pushtet, Vetëvendosje kishte paralajmëruar se rishikimi i buxhetit do të jetë një ndër prioritet, në mënyrë që buxheti të harmonizohet me programin qeverisës.