Ministria e Financave ka dalë me sqarim për kërkesat për verifikime shtesë që u janë dërguar disa prindërve, në programin për shtesat për fëmijët. MF-ja ka bërë të ditur se verifikimi shtesë është bërë për t’u siguruar se prindërit dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Sipas njoftimit, kushdo që s’ka pranuar e-mail, s’ka nevojë për verifikime shtesë.
Ky proces nisi më 11 shtator. Në emailin që u ishte dërguar disa prindërve u ishte thënë se përkohësisht janë pezulluar pagesat e shtesave për fëmijë, deri kur të paraqesin dokumente për verifikim në Qendrën për Punë Sociale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMinistria ka kërkuar nga përfituesit që në QPS të dërgojnë këto dokumente: kopjen e letërnjoftimit, një faturë të shërbimeve publike, si dhe për fëmijët nga mosha 0-6 vjeç librezën e vaksinimit, e për ata mbi 6 vjet vërtetimin nga shkolla.
Ministria e Financave nuk ka treguar as të martën, në njoftimin në Facebook, se sa prindërve u është dërguar ky email.
“Në kuadër të programit për shtesat për fëmijë, është një numër i caktuar i prindërve, llogaria e të cilëve është përzgjedhur për verifikim shtesë për t’u siguruar se ata dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Të gjithë këta prindër kanë pranuar njoftimin në eKosova dhe në email adresat e tyre, me hapat e nevojshëm për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të ri-aktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë. Nëse ju nuk keni pranuar njoftimin e tillë nga eKosova e as email nga MFPT, atëherë nuk keni nevojë të ndërmerrni ndonjë veprim. Programi i shtesave për fëmijë vazhdon si zakonisht, dhe ju do të pranoni shtesat sikurse çdo muaj në llogarinë tuaj”, thuhet në njoftimin që Ministria e Financave e ka publikuar në Facebook.
Qeveria e Kosovës ndan 20 euro në muaj për fëmijë deri në 16 vjet.
Në rast se prindi ka 3 fëmijë e më shumë, atëherë pagesa për secilin është nga 30 euro në muaj.
Sipas Ministrisë së Financave nga kjo skemë përfitojnë 400 mijë fëmijë.