Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes në Shqipëri, ka thënë se siguria e Kosovës është e garantuar nga aleanca ushtarake më e fortë në botë, për aq sa misioni i KFOR-it vazhdon të jetë aktiv.
Në një deklaratë për media pas mbledhjes së Qeverisë të enjten, Nufi është pyetur për stërvitjet që Ushtria e Serbisë po kryen në kufi me Kosovën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Së pari Republika e Serbisë i mitigon të gjitha rreziqet që ajo i pretendon si të sajat, në përputhje me dokumentet e veta strategjike. Republika e Shqipërisë nga ana e saj, të gjitha politikat e sigurisë i ka në përputhje me aleancën në të cilën bën pjesë, aleancën ushtarake të NATO-s, që është më e forta në botë. Qytetarët shqiptarë të jenë të sigurt se e gjithë doktrina, e gjithë përgatitja jonë është në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n dhe në këtë pikë siguria e qytetarëve shqiptarë, por edhe siguria e Republikës së Kosovës, për sa kohë kemi atje një forcë të mandatuar si KFOR, në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara, është e garantuar gjithashtu nga aleanca ushtarake më e fortë në botë”, ka thënë Nufi.
Ai ka thënë se shqetësimet që mund të perceptohen në rajon, për Shqipërinë përkthehen vetëm si qasje e koordinimit me aleancën dhe partnerët.
Për stërvitjet e Ushtrisë së Serbisë kanë reaguar edhe autoritetet e Kosovës. Ato e kanë cilësuar provokim. Megjithatë, KFOR-i ka thënë se ato janë aktivitete rutinë dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në disa raste ka thënë pa ndërlidhur fakte se një marrëveshje e vitit të shkuar në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, për bashkëpunim ushtarak, është e drejtuar kundër Serbisë. Madje ai ka thënë se “Serbia po përgatitet për sulm të mundshëm nga kjo aleancë”.
Përherë, ky pretendim është hedhur poshtë nga udhëheqësit e tri shteteve të aleancës. Të tria shtetet kanë bërë të qartë se marrëveshja nuk është kundër askujt dhe as kërcënim për integritetin territorial të ndokujt.