Pas një dekade e gjysmë të keqmenaxhimit, deponisë më të madhe të plehrave pritet që t’i vihet dryni.
Deponia e Mirashit e cila ndodhet në Komunën e Obiliqit, për vite të tëra ka grumbulluar tonelata mbeturinash nga shtatë komuna të rajonit të Prishtinës.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë vizitës që ia ka bërë kësaj deponie, ka thënë se ka vlerësime nga Ministria dhe organizata gjermane KFW që kjo deponi të mbyllet.
“Falë gatishmërisë së Qeverisë gjermane dhe fondeve të IPA-së, të cilat kanë shprehur gatishmëri për të përkrahur projekte të tilla, kemi një situatë shpresëdhënëse pranë nesh, pra në projektin e mbylljes së kësaj deponie dhe krijimin e kushteve për menaxhim të integruar të mbeturinave, në kuadër të regjionit të Prishtinës”, tha ministri Aliu.
Deponia e Mirashit ndodhet pranë termocentraleve të KEK-ut. Shkaku i keqmenaxhimit, kjo deponi është bërë rrezik mjedisor. Por Aliu nuk ka treguar se ku do të vendoset deponia e re e mbeturinave.
“Pas shqyrtimeve që janë bërë të parafizibilitetit, janë gjetur variantet dhe jemi në rrugë të mirë për ta zgjidhur këtë problem, jemi në rrugë të mirë, do të kemi një deponi tjetër që do të jetë sipas standardeve evropiane, do të ketë ndikim të vogël ose fare me rrethimin, që parasheh edhe riciklimin, pra funksionimin e ekonomisë qarkore”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, shpreson që të krijohen mundësi të mira për qytetarët e kësaj rrethine.
“Më vjen mirë që ministri e ka marrë me seriozitet trajtimin e kësaj çështjeje, pasi ne kemi pasur ankesa edhe nga vetë punëtoret e KEK-ut, por edhe nga trajtimi i kësaj deponie”, tha kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi.
Edhe në raporte të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive thuhet se deponia e Mirashit paraqet rrezik permanent për mjedisin, rrezikim të aseteve shtetërore, por rrezik të madh për shëndetin dhe humbjen e jetës së njerëzve në atë mjedis.