Arbëri

Ministrat Gashi e Shala pranojnë se kanë gjuajtur me armë, ky i fundit thotë të mos e ketë ditur që po kryen vepër penale

Foto: Koha

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri Diasporës, Dardan Gashi dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kanë pranuar veprën për gjuajtje me armë që ka ndodhur në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limajt.

Në shqyrtimin fillestar, Shala ka thënë se kanë gjuajtur me armë pa e ditur që kjo përbën vepër penale, raporton KTV.

Të gjithë të akuzuarit tjerë e kanë pranuar fajësinë përveç Sami Lushtakut i cili ka vendosur që të mbrohet në heshtje.

Veprën e kanë pranuar edhe Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati.

Pas këtyre deklarimeve, me kërkesë të avokatit Arianit Koci, shqyrtimi fillestar është ndërprerë për gjysmë ore.

Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës, për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar në odën e Fatmir Limajt.

Më pas, kësaj aktakuze iu shtuan edhe Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati.

Të pandehurit në festën e Limajt, pas lirimit nga akuzat e Prokurorisë për krim të organizuar dhe keqpërdorim detyre, janë parë duke gjuajtur me armë nga dritaret e odës.