Arbëri

Minibibliotekat bëhen pjesë e përditshmërisë së kryeqytetit

Prishtinë, 22 nëntor – Një vitrinë e vogël me ngjyrë të zezë dhe oker anash gërshetohej këndshëm me ngjyrën vjeshtore të parkut të vogël kundrejt “SOS Fshatit” në lagjen “Velania”. Tituj si “Evgjeni Grande” i Balzacut, “Vilhelm Teli” i Schillerit e “Rikardi i Dytë” i Shakespeareit ishin veçse disa nga librat që vargiseshin në tri raftet e minibibliotekës së re në këtë pjesë të Prishtinës.

Si pjesë e një projekti të nisur në krye të këtij muaji, aktivistë të organizatës joqeveritare “ETEA” dhe të Kuvendit të të Rinjve të Prishtinës të enjten kanë bërë përurimin e radhës të minibibliotekës, që si moto ka “Sill një libër – merr një tjetër”. Po të enjten janë përuruar edhe minibibliotekat në lagjet “Bregu i Diellit” dhe Lagjja e Spitalit.

Në javën e tretë prejse projekti ka filluar të jetësohet nëpër lagjet e Prishtinës, nismëtarët e minibiliotekave janë shprehur të kënaqur me funksionimin e tyre.

Si pjesë e projektit “Sign Up” të Bashkimit Evropian, 12 minibiblioteka pritet të vendosen brenda këtij viti në lagjet kryesore të kryeqytetit. Nxitja e lexueshmërisë dhe shkëmbimi i librave janë disa nga synimet e mbështetësve të këtij projekti.

(gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)