Arbëri

Mini-Shengeni cilësohet iniciativë paralele karshi nismave tjera që i kontribuojnë integrimit në BE

Iniciativë paralele karshi nismave tjera që i kontribuojnë integrimit të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, është konsideruar Mini-Schengeni Ballkanik, sipas një analize të publikuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

Autori i punimit, Visar Xhambazi, ka thënë se kësaj nisme i mungojnë mekanizmat strategjikë dhe zbatues.

“Fakti që Mini-Schengeni u prezantua në Novi Sad, Serbi, nikoqir i së cilës ishte presidenti Aleksandar Vuçiq, krijoi dyshimin se iniciativa sponsorizohet nga ai për qëllim të dominimit të rajonit. Qeverisja e Vuçiqit është bërë gjithnjë e më autoritare. Serbia, aktualisht, është pa opozitë politike dhe është nën kontrollin politik të presidentit Vuçiq, i cili ka arritur të shtypë lirinë e mediave dhe të degradojë standardet demokratike të Serbisë”, tha Xhambazi.

Ndërkaq, Donika Emini ka thënë se Mini-Schengeni është shoqëruar me paqartësi prej fillimit teksa atë e ka kualifikuar edhe si nismë paralele.

“Ka qenë e paqartë si ide, edhe vendi problematik- Novi Sadi, kur dihet se Thaçi ka pas probleme me qenë fizikisht atje. Vetëm dy dokumente janë publikuar deri më tani dhe nuk e dekonstruktojnë mirë Mini -Schengenin. Sa i përket nismave rajonale, për Kosovën është mirë nëse arrin të nënshkruajë marrëveshje me Bosnjën e Hercegovinën për lëvizjen e lirë”, tha Donika Emini.

E, Marko Savkoviq nga Fondacioni për Ekselencë Politike në Beograd, ka vënë theksin te përfitimet ekonomike nga nismat rajonale.

“Integrimi ekonomik ka potencial dhe është i vetmi tregim i suksesit që mund të vihet në pah së shpejti. Megjithatë, ka barriera sa i përket çështjeve doganore, të cilat duhet eliminuar në të ardhmen”, deklaroi Marko Savkoviq.

Sipas një sondazhi të realizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në vitin 2020, vetëm 17% e qytetarëve në Kosovë e konsiderojnë Mini-Schengenin të dobishëm ose shumë të dobishëm, ndërsa 36 për qind u përgjigjën se iniciativa do ta dëmtonte Kosovën.

Iniciativa për Mini-Schengenin Ballkanik u lansua në tetor të vitit 2019 në Novi Sad, nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Prej atëherë janë mbajtur vetëm dy takime të tjera, teksa iniciativa ishte refuzuar nga Kosova. Por, me marrëveshjen e zotimeve në Uashington, ish-Qeveria Hoti pranoi të bëhet pjesë e kësaj nisme.