Arbëri

Minatorë të Kishnicës e Artanës prej një jave në grevë

210 minatorë të njësisë biznesore në Kishnicë dhe Artanë, që nga e marta e javës së shkuar janë në grevë, si shkak i mosekzekutimit të pagave për muajin prill. Ata kanë thënë se nuk do të kthehen në punë deri në ekzekutimin e pagave. E në ndërmarrjen “Trepça” nuk kanë treguar për arsyen e mosekzekutimit të pagave

Nezir Makolli ka 44 vjet që punon në Minierën e Artanës. Që nga e marta e javës së shkuar, ai bashkë me 210 kolegë të tjerë të minierës por edhe të Flotacionit në Kishnicë kanë hyrë në grevë, shkaku i mosekzekutimit të pagave për muajin prill.

Makolli thotë se mungesa e pagave po shkakton vështirësi financiare për punëtorët.

“Është shumë shqetësuese mosekzekutimi i pagave. Ne mbajmë familje dhe prej kësaj mbijetojmë, kemi kredi e shumë obligime të tjera e ne varemi prej kësaj. Ka edhe raste të tjera kur nuk i kanë ekzekutuar pagat”, ka thënë ai.

Blerim Ymeri, kryetar i sindikatës së minatorëve të Kishnicës e Artanës, ka thënë se arsye e mosekzekutimit të pagave është mungesa e mjeteve financiare.

“Sot është data 21 e në kushte normale është dashtë që pagën me marrë më 10 maj, nuk i kanë marrë dhe këtë kërkesë e kanë që t’u ekzekutohen pagat. Sipas menaxhmentit të Trepçës nuk ka mjete financiare deri të shesin koncentratin. Minatorët janë të vendosur që të mos e fillojnë punën deri të dalin pagat”, ka theksuar Ymeri.

E drejtori i njësisë biznesore në Kishnicë e Artanë, Fisnik Frangu, ka theksuar të mos i jetë në dijeni të arsyes për mosekzekutimin e pagave, ani se ka shtuar që gjatë periudhës së fundit të dy njësitë kanë pasur shitje. 

“Kemi bërë shitje më 5 maj, rreth 220 ose 230 mijë euro, që i tejkalon pagesat e minatorëve të komplet njësisë biznesore Artanë e Kishnicë. Pse nuk është realizuar ekzekutimi i pagave le të merret menaxhmenti. Ne si njësi biznesore kemi pasur pengesa të ndryshme, shtatë muaj furnizim kemi pasur problem me rrymën që nuk e kanë lënë që të zhvillohet prodhimi normal”, ka theksuar Frangu.

Në ndërmarrjen “Trepça” nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike të KOHËS dhe as pyetjeve të adresuara nëpërmjet emalit zyrtar lidhur me mosekzekutimin e pagave.

Me probleme financiare, ndërmarrja “Trepça” është përballur në vazhdimësi.

Në gusht të vitit të kaluar, Qeveria i pati ndarë mbi 4 milionë euro për tejkalimin e krizës financiare.