Arbëri

Milionat e Qeverisë dhe të komunave nuk e zgjidhin problemin me qen endacakë

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Milionat e shpenzuar nga Ekzekutivi dhe komunat nuk e kanë zgjidhur problemin e qenve endacakë, të cilët vazhdojnë të jenë të pranishëm në numër të madh nëpër të gjitha rajonet e Kosovës dhe shpesh edhe të rrezikshëm për qytetarët.

Projektet që parandalojnë shumimin e tyre, të realizuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe nga komunat, janë përcjellë me vërejtje nga organizata për mbrojtjen e kafshëve.

Elza Ramadani, nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, thotë se ka pasur shkelje nga subjektet veterinare gjatë trajtimit të qenve.

“Ka pasur mangësi në këto projekte sa i përket kësaj çështjeje, sepse janë lëshuar qentë edhe në vendet e gabuara që nuk është dashur, ka qenë shkelje e kontratës nga ana e subjekteve veterinare ku nuk ka pasur një mbikëqyrje të mirëfilltë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sa i përket dy tenderëve që i ka jep për kastrim dhe sterilizim”, ka thënë Ramadani.

Pas hezitimit nga komunat për t’u marrë me këtë problematikë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte realizuar dy projekte, shuma e të cilave sillet rreth 1.7 milionë euro.

Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, thotë se janë trajtuar rreth 19 mijë qen.

Ai pohon se rastet e shkeljeve të kontratave kanë qenë të vogla.

“Këto kanë qenë raste të izoluara derisa ka qenë një problematikë shumë komplekse dhe trajtimi i qenve është një punë që kërkon mbikëqyrje të vazhdueshme dhe ne secilin vërejtje që kemi marrë nga organizata nga drejtoria e Mirëqenies së kafshëve dhe inspektorët veterinarë është trajtuar me kujdes dhe kushdo që ka bërë shkelje të kontratës dhe që ka shkelur ligjin për mirëqenie të kafshëve sigurisht që është ndëshkuar nga ana e AUV-it”, është shprehur Thaçi.

Ramadani ka vërejtje edhe për komunat. Për kryeqytetin thotë se vonohet gjithmonë në shpalljen e tenderëve.

“Komunat e tjera kanë qenë shumë transparente të them të drejtën me ne si organizatë dhe kemi mundur me i monitoruar përveç komunës Ferizajt që as nuk përgjigjen e as nuk don me tregu se sa qen i ka sterilizuar dhe kastruar dhe gjithmonë tentojnë që të kryejnë tenderët fshehtë dhe me shuma bukur të mëdha të parave”, ka shtuar Ramadani.

Vetëm gjatë vitit 2020, sipas Policisë së Kosovës, janë raportuar rreth 30 raste të sulmeve nga qentë endacakë.