Arbëri

Milionat e BE-së për sundimin e ligjit nuk u përkthyen në reforma thelbësore

Milionat e derdhur nga Bashkimi Evropian nuk janë përkthyer në reforma thelbësore sa i përket sundimit të ligjit në vendet e Ballkanin Perëndimor.

Ky është konstatimi që ka nxjerrë Gjykata Evropiane e Auditimit (ECA) në një raport të veçantë, i cili përfshin periudhën 2014-2020. Krahas pesë vendeve të tjera, subjekt i auditimit ka qenë edhe Kosova.

Me përjashtim të disa reformave teknike dhe operacionale, Raporti thekson mungesën e vullnetit politik për t’i trajtuar problemet e tilla si: pavarësia e gjyqësorit, luftimi i korrupsionit dhe ndërhyrjet politike.

Në luftën kundër krimit të organizuar Kosova ka shënuar ngecje krahasuar me periudhën 2015-2019, ku gjykata përshkruan progres të kufizuar.

Sa i përket funksionimit të gjyqësorit, thuhet se Kosova ka shënuar njëfarë progresi.

Përparim i kufizuar është edhe në fushën e bashkëpunimit policor kundër krimit të organizuar. Cilësim i tillë jepet edhe për lirinë e shprehjes, megjithëse Kosova qëndron më mirë se të gjitha vendet e rajonit.

BE-ja është donatori më i madh në rajon që kanalizohet kryesisht nëpërmjet Instrumentit të Paraaderimit i njohur si IPA. Rreth 700 milionë euro është shuma e ndarë në kuadër të IPA 2 për periudhën 2014-2020, derisa Kosova ka përfituar 94 milionë euro.

Ndër ngecjet që i përshkruhen Kosovës kanë të bëjnë me vonesat në themelimin e “Fondit konfiskues”, ku shumat e marra nga konfiskimi i pasurisë së krijuar në mënyrë të jashtëligjshme do të rishpërndaheshin tek institucionet e drejtësisë.

“Vlerësimi i jashtëm për projektin 9 (Kosovë) iu referua problemeve të kapaciteteve dhe hezitimit për të siguruar vazhdimësinë e asaj që u arrit gjatë zbatimit të projektit. Një shembull ka të bëjë me vonesat në krijimin e një 'fondi konfiskues' në të cilin shumat e marra nga konfiskimi i pasurisë së krijuar në mënyrë kriminale do të paguhen dhe më pas do të rishpërndahen tek institucionet e drejtësisë. Projekti ia ka ofruar Qeverisë së Kosovës një model dhe një kornizë ligjore për fondin”, thuhet në raport.

Gjykata ka rekomanduar forcimin e mekanizmave për promovimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit; forcimin e mbikëqyrjes, si dhe intensifikimin e mbështetjes për shoqërinë civile dhe mediat, që janë të angazhuara në këtë proces.