Milan Mihajloviq, i akuzuar për pengim të hetimit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është deklaruar i pafajshëm para gjykatës lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale.
Prokurori Burim Qerkini gjatë leximit të aktakuzës tha se ai ka kërcënuar një zyrtar që ka qenë duke e hetuar dhe i ka thënë dëshmitarit anonim B1 të rastit të vrasjes së Ivanoviqit të mos dëshmojë.
Po ashtu prokurori Qerkini tha se që nga viti 2014 ai ka qenë pjesë e grupit kriminal të prirë prej Zvonko Veselinoviq e Millan Radoiçiq. Qëllimi i grupit kriminal sipas aktakuzës ishte shtrirja e pushtetit në veri të vendit, derisa i akuzuari ishte pjesë e grupit kriminal dhe ka pasur motiv financiar për këtë.
Më 27 dhjetor 2023 Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”. Këto vepra penale, sipas prokurorisë, i pandehuri i ka kryer duke penguar hetimin për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Sipas organit të akuzës pas hetimit, Mihajloviqi ka përdorur dokumente të falsifikuara si dhe ka kanosur personat zyrtarë të cilët kanë zhvilluar procedurë penale ndaj tij.
Për vrasjen e kryer në 2018-n është duke u zhvilluar edhe një proces tjetër gjyqësor ndaj 5 ish-policëve, si dhe ndaj një ish-zyrtareje të subjektit politik të Ivanoviqit. Ata akuzohen për ndihmë në vrasje dhe për pengim të hetimit.