Kodi Penal e parasheh si dënim plotësues edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit të mësimdhënësve. Por, në bazë të 11 aktgjykimeve që janë publike del se prokurorët nuk ia kërkojnë gjykatave shqiptimin e këtij lloji dënimi atyre. Në këto raste as komunat nuk ia ndërpresin marrëdhënien e punës mësimdhënësve e drejtorëve që keqtrajtojnë nxënësit.
Mësimdhënësve të cilët janë përgjegjës penalisht për keqtrajtim të nxënësve nuk po u ndalohet ushtrimi i profesionit nga gjykatat e as nuk po përjashtohen nga puna nga komunat.
Në bazë të aktgjykimeve të publikuara në faqen e Këshillit Gjyqësor nga vitit 2019 deri ne vitin 2025 del që mësimdhënësit nga gjyqësori janë dënuar nga burgimi me kusht deri në 3000 euro, ndërsa me 5000 euro gjobë është dënuar një drejtor shkolle në komunën e Lipjanit.
Në bazë të aktgjykimeve, prokurorët e shtetit nuk i kanë kërkuar gjykatës që me rastin dënimit t’ia shqiptojnë ndalimin e ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës që parashihet, kërkesë që mund ta parashtrojnë në bazë të Kodit Penal.
Prokurorët në bazë të 11 aktgjykimeve janë marrë vesh me të akuzuarit për pranimin e fajësisë.
KOHA i ka pyetur komunat që kanë mësimdhënës që përmenden në aktgjykime si keqtrajtues se a i kanë përjashtuar nga puna ndonjë mësimdhënës për keqtrajtim dhe çfarë ka ndodhur me ta.
Në Komunën e Pejës kanë thënë se kanë dy raste përjashtimi nga viti 2019, njëri i dënuar për vrasje e një tjetër i denoncuar për ngacmim seksual, por jo edhe për keqtrajtim.
“Gjatë periudhës 2019–2026, kemi pasur këto dy raste të denoncuara, të cilat kanë përfunduar me masën disiplinore të ndërprerjes së marrëdhënies së punës për të dy mësimdhënësit”, u tha nga Komuna e Pejës.
Në komunën e Malishevës kanë thënë se pas shpalljes si i pafajshëm në një rast arsimtari është kthyer në shkollë, por ai në atë kohë ka qenë para pensionimit.
“Kemi pasur dy raste të akuzave për ngacmim seksual dhe një rast me akuzë për dhunë fizike. Në të gjitha rastet, janë marrë masat e largimit te përkohshëm ashtu siç e parasheh ligji. Rastet e akuzave për ngacmim seksual, nga gjykatat janë shpallur të pafajshëm, dhe më pas, njëri është rikthyer në punë (punëtor teknik) dhe rasti tjetër, me vetë dëshirë nuk është kthyer, por ka dalë i pafajshëm. Po ashtu edhe te rasti i dhunës fizike, arsimtari është përjashtuar fillimisht një muaj, por në ndërkohë ka dalë i pafajshëm dhe i njëjti është rikthyer në punë (vërejtje: ka qenë para pensionimit dhe tashmë është i vdekur)”, u tha nga Komuna e Malishevës.
Në Komunën e Prizrenit kanë thënë se kenë vepruar në përputhje të plotë me përgjegjësitë ligjore, duke aktivizuar mekanizmat përkatës institucionalë dhe duke bashkëpunuar me autoritetet kompetente, por pa treguar se a janë larguar nga puna dy mësimdhënës që edhe në gjykatë e kanë pranuar fajësinë.
Në komunën e Suharekës e kanë konfirmuar se nuk kanë asnjë mësimdhënës të përjashtuar shkaku i keqtrajtimit të mësimdhënësve.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, në një përgjigje për Kohën tha se për njërin nga mësimdhënësit që para gjykatës e ka pranuar fajësinë, nuk është inicuar procedurë disiplinore.
“Në rastin e parë ndaj mësimdhënësin Nazim Zenelaj është zhvilluar procedure disiplinore dhe nga Komisioni Disiplinor është nxjerr një vendim disiplinor, i cili është zbatuar konform bazës ligjore adekuate. Ndërsa për rastin e dytë ndaj edukatorës Luljeta Sopa procedura disiplinore nuk është inicuar dhe rasti nuk është proceduar në Komisioni disiplinor, por gjatë kësaj periudhe, Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me shkollën ka ndërmarrë masa preventive dhe administrative në kuadër të kompetencave të saj për shkak se nuk ka pasur vendim të formës së prerë nga organet e drejtësisë”, tha Muharremaj.
Muharremaj tha po ashtu se komuna nuk e ka ditur dhe e ka mësuar nga redaksia se ka mësimdhënës të dënuar.
“Drejtoria e Arsimit dhe as Drejtoritë e shkollave nuk kanë marrë njoftimin për aktgjykimet e formës së prerë. Me këtë dokument u informuam përmes këtij emaili ndërsa masat, për te cilat iu njoftuam më lart janë marrë menjëherë pas raportimit te rasteve”, tha Muharremaj.
Në 11 aktgjykimet që janë publikuar në faqen e KGJK-së rezulton se të gjithë të akuzuarit kanë lidhur marrëveshje me Prokurorin për pranimin e fajësinë.
Në këto raste të akuzuarit siç janë mësimdhënësit, heqin dorë nga ankesat kundër aktgjykimit, ata mund të ankohen vetëm lidhur me shkallën e dënimit.