Mes shumë kundërshtimeve ka nisur vazhdimi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike ka thënë se ky proces përbën një hap të rëndësishëm dhe të shumëpritur drejt ndërtimit të një tregu të hapur, konkurrues dhe transparent, duke shtuar se do të ofrojë më shumë mundësi për konsumatorët që të zgjedhin lirshëm furnizuesin e tyre të energjisë elektrike.
ZRRE-ja ka thënë se liberalizimi i tregut synon të sjellë përfitime konkrete për konsumatorët përmes rritjes së konkurrencës ndërmjet furnizuesve, përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe krijimit të kushteve të favorshme për çmime transparente dhe në parime të tregut të lirë.
Madje sipas këtij rregullatori, ky është një hap thelbësor drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe integrimit të plotë të tregut të energjisë së Kosovës në tregun rajonal dhe atë evropian.
“ZRRE fton të gjithë konsumatorët e kualifikuar për të dalë në treg të lirë, që ende nuk kanë përzgjedhur furnizuesin e tyre të energjisë elektrike, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të gjetur furnizuesin më të përshtatshëm sipas nevojave të tyre dhe kushteve më të favorshme që ofron tregu. Çdonjëri nga këta konsumator obligohen të zgjedhin lirshëm furnizuesin e tyre në tregun e hapur, duke u bazuar në oferta që përputhen me profilin dhe kërkesat individuale të konsumit”, thuhet në njoftim.
Sipas ZRRE-së, konsumatorët që mbesin pa furnizues, kalojnë automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), por theksohet se qëndrimi te FMF është një mundësi e fundit për furnizim të garantuar, dhe se ky furnizim nuk përfaqëson një zgjidhje të qëndrueshme, e as kushte të volitshme për konsumatorët.
“Furnizuesi i Mundësisë së Fundit duhet të shihet si një zgjidhje e përkohshme, deri në zgjedhjen e një furnizuesi nga ana e konsumatorit, i cili zgjatë jo më shumë se 60 ditë. ZRRE, infomon se, për të gjithë konsumatorët që janë duke u furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit është siguruar energjia përmes bursës Shqiptare (APLEX).Për të lehtësuar këtë proces, ZRRE ka publikuar në faqen zyrtare www.ero-ks.org listën e furnizuesve të licencuar të energjisë elektrike dhe ka vënë në dispozicion udhëzime praktike për mënyrën e përzgjedhjes së furnizuesit, krahas informacioneve për të drejtat dhe obligimet e konsumatorëve në tregun e liberalizuar”, thuhet në njoftim.
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të thotë se bizneset e mëdha nuk do të përfitojnë më nga tarifat e rregulluara, por do të detyrohen të sigurojnë furnizim përmes tregut të hapur.
Bazuar në vendimin e ZRRE-së, bizneset të cilat kanë mbi 50 punëtorë dhe mbi 100 milionë euro qarkullim detyrohen që të zgjedhin se prej ku do të furnizohen me rrymë me çmime të parregulluara nga ZRRE-ja.
Kurti ka thënë se nga vendimi për të dalë në treg të hapur preken 1200 ndërmarrje apo 1% e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë.