Shumë nga mërgimtarët që pritën ndërrimin e moteve në Kosovë dhe sot u nisën për në vendet ku jetojnë, thanë se arsye e vizitës ishte edhe pjesëmarrja në votim. Disa nga ta lanë porosi për qeverinë e re. Gjatë daljes nga Kosova, u përballën me pritje deri në 3 orë.
Kthimi i mërgimtarëve pas festave të fundvitit ka sjellë sërish kolona në pikat kufitare, veçanërisht në Merdar.
Me vonesa dhe pritje për dalje nga Kosova janë përballur të shtunën ata që për udhëtim kanë zgjedhur transportin rrugor.
Në orën 12 të mesditës, mërgimtarët që kanë nisur kthimin drejt vendeve ku jetojnë jashtë Kosovës, treguan se pritjet janë rreth një orë.
“Mirë kemi kalu në Kosovë. Që një orë jemi duke pritë”, tha Mendohije Gashi nga Malisheva.
“S’jam shumë gat. Po ecën mirë. Edhe kena hi si shqiptarët pa ren qysh hina krejt”, ka thënë Ardijan Isufi nga Drenasi.
Kolona u rrit më vonë gjatë ditës.
Sipas përditësimit të orës 13 nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për të dalë nga pika kufitare në Merdar arritën deri në dy orë e gjysmë.
Ndërsa në orët 14 dhe 15, kolonat arritën deri në një kilometër e gjysmë, e pritjet deri në tre orë e gjysmë.
Krahas për festat të fundvitit, disa mërgimtarë treguan se erdhën në Kosovë edhe për të ushtruar të drejtën e votës.
“Me festu, me votu, për prindër e kështu”, tha Mendohije Gashi.
“Veç me votu. Kemi kalu shumë bukur. Kurti fitoi, perfekt”, deklaroi Lulzim Mustafa nga Vushtrria.
Të tjerë thanë se erdhën vetëm për të kaluar kohë me familjen.
E, nga ata që thanë se kanë ushtruar të drejtën e votimit, shprehën pritje për më shumë punë nga qeveria e ardhshme, e edhe lanë porosi për fituesin e zgjedhjeve.
“Po kthehemi shumë të lumtur, të kënaqur. Dy javë kemi qëndru, kemi kalu shumë mirë me familjarë dhe Kosovën po e shohim çdo herë që po vijmë më mirë e më mirë. Shpresojmë që edhe Kurti do të punojë shumë më shumë sesa në mandatin e parë”, tha Sherije Mustafa.
“Po po se votën më nuk e ka. Që nuk punon më shumë, më votën nuk e ka vallahin, po më vjen keq po nuk kam çka me ba…” deklaroi Lulzim Mustafa.
Kolonat nuk u bënë vetëm nga mërgimtarët. Në to pati edhe kosovarë që po shkonin jashtë për pushime.
Pritje deri në një orë e gjysmë gjatë së shtunës ka pasur edhe në pikëkalimin kufitar te Dheu i Bardhë.