Bashkatdhetari Aliriza Gashi, që ka më shumë se tri dekada që jeton në mërgim, bashkë me dy familjarë të tij të premten kanë dëgjuar fjalimet e deputetëve dhe panë se si merren vendimet në institucionin më të lartë të vendit.
Gashit, kjo seancë i është dukur më ndryshe nga ato që kishte ndjekur nga ekrani.
“Shumë bukur, është seancë e qetë, në përgjithësi shkoi mirë. Dëshiroja që partitë politike të jenë sa më shumë prezente, kështu që në rast votimi t’i hedhin të gjithë votat dhe t’i miratojnë gjërat në të mirë të qytetarëve. Ne çdo gjë që dëgjojmë të bukur nga këtu jemi të kënaqur", ka thënë ai.
Ka një porosi për deputetët e Kuvendit.
“Unë kisha thënë në përgjithësi që të mos ketë disa sjellje pak të dobëta nga gjuha, pasi të gjithë janë njerëz të civilizuar dhe do të ishte mirë që me qetësi. Ne kemi edhe fëmijët tanë në vendet e perëndimit që përcjellin dhe është mirë që t’i shohin gjërat pak më mirë.”
Edhe bashkatdhetarë të tjerë kishin shprehur interesim për ta përcjellë seancën e Kuvendit, por që nuk kanë dashur që të flasin para kamerës për përshtypjet e tyre gjatë kësaj vizite.
Nuk është hera e parë që Kuvendi hap dyert për mërgimtarët. Më 20 korrik, për tri ditë rresht, ata kanë pasur mundësinë ta vizitojnë këtë institucion dhe të takohen me të përzgjedhurit e popullit.