Arbëri

Mehmeti: Nuk do të ketë rishikim të vendimeve për “Monegon” dhe “Iute Credit”

Foto: Koha

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë se po përballën me forma të ndryshme të presioni pas vendimeve për revokim të licencave për dy institucione mikrofinanciare “Iute Credit” dhe “Monego”.

Ai ka bërë të ditur se për këtë janë njoftuar edhe organet e drejtësisë. Por, sipas tij, BQK-ja ka vepruar në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor dhe se nuk do të rishikojë këto vendime.

“Asnjë formë e presionit publik nuk mund të çojë në rishikimin e këtyre vendimeve. Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e palëve për të ndjekur rrugët ligjore për të parashtruar ankesë ndaj këtyre vendimeve dhe kërkojmë nga palët e afektuara nga këto vendime që të ndjekin rrugët ligjore. Ne jemi të gatshëm që në çdo kohë të dëshmojmë dhe të sqarojmë bazën mbi të cilën kemi marrë këto vendime”, ka thënë Mehmeti, raporton “Koha Ditore”.

Ai në konferencën përmbyllëse të vitit ka folur për të arriturat e këtij institucioni. Sa i përket sektorit të sigurimeve ka thënë se vlera e shkruar e primeve nga kompanitë e sigurimeve deri në shtator 2019 ishte 74 milion euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7.1%. Në anën tjetër, vlera e dëmeve të paguara sipas tij, arriti në 37.9 milionë euro, duke shënuar një rritje vjetore t prej 7.3%.

Ka thënë se me qëllim të mbrojtjes së palëve të dëmtuara prej të siguruarve nga autopërgjegjësia dhe krijimit të kushteve të nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm të sektori të sigurimeve, BQK-ja ka përshtatur tarifat e Kategorisë I për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë të cilat ishin të pandryshuara që nga vitit 2001.

Për sektorin bankar ka thënë se në këtë vit vazhdoi me rritje të lartë të kreditimit, përmirësim të kushteve për qasjen të sektorit privat në kredi si dhe rritje të qëndrueshmërisë financiare.

“Në fund të tetorit 2019, kreditë e sektorit bankar kanë arritur vlerën prej 2.98 miliard euro. Rritja vjetore e kredive mbetet e lartë me normë vjetore prej 10%. Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, shuma e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.75 miliard euro që paraqet një rritje vjetore mjaftë të lartë prej 16%. Kjo rritje e lartë e depozitave mes tjerash reflekton edhe besimin e lartë të publikut në sektorin bankar”, ka thënë ai.

Sipas tij, normat e interesit në kredi vazhduan trendin rënës, duke zbritur në 6.5 për qind nga 6.6 për qind sa ishin në periudhën e njëjtë të viti të kaluar, gjë që reflekton përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të tregut dhe lehtësimin e qasjes në financim bankar.