Analisti politik nga Shkupi, Ibrahim Mehmeti, ka vlerësuar se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e ka politizuar protestën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), e cila do të mbahet më 13 dhjetor (nesër) në Shkup, për shkak të frikës se ajo mund të ndikojë në pozitën e partnerëve shqiptarë në koalicionin qeverisës.
Sipas Mehmetit, protesta përfaqëson një ngjarje me rëndësi të veçantë për shqiptarët dhe nuk është dashur të futet në kontekstin e politikës ditore.
Ai thekson se reagimet fillestare të partive shqiptare në pushtet, të cilat e kishin cilësuar protestën si të panevojshme, ishin negative, por më pas qëndrimet e tyre kanë ndryshuar.
Mehmeti vlerëson se deklaratat e kryeministrit Mickoski lidhen me frikën se protesta e nesërme mund të shihet si përkrahje për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, çka, sipas tij, do të rrezikonte pozitën e partnerëve shqiptarë që Mickoski i ka ndërtuar me vështirësi në kuadër të koalicionit qeverisës.
“Frika se protesta masive e OVL-UÇK-së mund të perceptohej si mbështetje për Ali Ahmetin ishte arsyeja kryesore pse kjo ngjarje u politizua”, ka deklaruar Mehmeti në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka shtuar se paralajmërimi i Mickoskit për formimin e një shtabi krize për protestën e nesërme ishte i panevojshëm dhe vetëm sa e ka tensionuar më tej situatën politike në prag të protestës së paralajmëruar në Shkup.
Protesta e OVL-UÇK-së në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të mbahet nesër nga ora 13:00 në Shkup. Është një seri e disa protestave që po mbahen në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Hagën e Strasbourgin.
Mickosi është në qeveri bashkë me koalicionin VLEN.