Prej disa muajsh banorët e disa lokaliteteve të Komunës së Lipjanit po vazhdojnë të ankohen për zvarritje të projekteve sportive. Kjo ka shtyrë kuvendarët e AAK-së që t’i përcjellin punimet në tri projekte të tilla në fshatin Dobrajë dhe në palestrën sportive në Lipjan, të hënën.
Sipas opozitës, projektet sportive kanë një dinamik të punimeve prej rreth dy vitesh, mirëpo ajo është tejkaluar. Opozita ka bërë me dije se gjatë muajve të fundit këto projekte kanë ngecur si pasojë e keqplanifikimeve buxhetore nga ana e ekzekutivit të komunës.
Ramiz Qeriqi, këshilltar në Kuvendin Komunal në Lipjan nga radhët e AAK-së ka thënë se qeverisja lokale ka keqmenaxhuar me paranë publike e, si pasojë e kësaj projektet sportive në disa lokalitete po zvarriten.
“Pas shqetësimeve të qytetarëve, ne kemi vizituar tri projekte sportive në Dobrajë dhe palestrën në Lipjan për të cilat janë lidhur kontrata milionëshe me njerëz të afërt të ekzekutivit. Sa i përket Stadiumit në Dobrajë prej disa vitesh ai projekt ka dështuar, madje edhe ato punime të cilat janë kryer, tashti po degradohen. Si pasojë e mungesës së stadiumit në Dobrajë edhe klubi i futbollit “Arbëria” ka rënë nga superliga sepse të gjitha ndeshjet i ka luajtur si mysafire”, ka thënë Qeriqi.
Sipas tij, edhe punimet në palestrën sportive po zvarriten derisa është keqmenaxhuar me paranë publike.
“Ne e kemi parë se palestra sportive në Lipjan ende nuk është finalizuar, madje kompanisë i duhen edhe shumë muaj deri në finalizim, por këtu qëndron problemi i mosplanifikimeve buxhetore dhe moskordinimi i mirë me punëkryesin. Ne mendojmë se këto projekte sportive po zvarriten me qëllim deri në muajt e fundit të fushatës zgjedhore, pra gjithçka po lidhet me votën e qytetarëve”, ka kritikuar Qeriqi.
Ai shpjegon se qeverisja lokale ka keqmenaxhuar me paranë publike edhe në rastin e ndërtimit të fushës sportive në fshatin Kraishtë. “Disa vjet më parë në Kraishtë është ndërtuar një fushë e hapur sportive, ndërkohë është rrënuar ajo dhe është ndërtuar një sallë sportive në të njëjtin vend. Projekti i fundit i ka kushtuar komunës gjithsejtë 212 mijë e 884 euro, ndërkaq më 2017-n për fushën sportive aso kohe janë shpenzuar rreth 16 mijë euro, pra edhe këtu kemi keqmenaxhim dhe dëmtim të parasë publike nga ekzekutivi i komunës”, ka thënë Qeriqi.
Shkaku i zvarritjes së projekteve sportive në Dobrajë, kanë reaguar edhe vet banorët e këtij fshati.
Agon Bahtiri, nga ky fshat ka thënë se prej kohësh janë duke e pritur ndërtimin e stadiumit të futbollit, por deri më tash punimet po zvarriten.
“Zvarritja e projektit ka ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin e klubit tonë “Arbëria” i cili ditë më parë ka rënë nga Superliga. E, krejt kjo si pasojë e mungesës së stadiumit për stërvitje dhe aktivitete të tjera. Pra, klubi jonë të gjitha ndeshjet i ka zhvilluar nëpër stadiume të tjera si mysafirë si pasojë e mungesës së stadiumit, prandaj kjo është shumë shqetësuese dhe duhet të reagojmë të gjithë qytetarët për ta kërkuar finalizimin e projektit të futbollit pa dallime politike”, është ankuar Bahtiri. Sipas tij, ekzekutivi i komunës së Lipjanit nuk po i shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e banorëve për finalizimin e stadiumit. “Komuna për çdo ditë po na zhgënjen sepse prioritet i ka interesat e veta politike dhe jo interesat e sportit dhe qytetarëve të fshatit tonë. Ky ekzekutiv i komunës nuk i përjeton ndjenjat e tifozëve të klubit tonë të dashur, por jemi të bindur se do të rikthehemi edhe më fuqishëm pavarësisht mospërkrahjes së Komunës”, ka thënë Bahtiri.
Diamant Bytyqi, zedhenes i komunes se Lipjanit ka thënë se keto projekte jane disa vjeçare.
"Në Dobraje projekti është dy vjeçar dhe punimet janë duke vazhduar me dinamikë të shtuar ndersa palestra është projekt tre vjeçar edhe aty po vazhdojnë punimet mirpo siq dihet pandemia i ka penguar punimet presim që deri në fund të vitit të finalizohen", ka thënë ai.