Me Projektligjin për buxhet – që i është përcjellë Kuvendit për shqyrtim – parashihen një sërë ndryshimesh. Në bazë të projekt-buxhetit parashihet ndryshimi i shumave të projekteve infrastrukturore
Qeveria Kurti ka proklamuar një pako të re për rimëkëmbje, në vlerën prej 420 milionë eurosh. Por, në Projektligjin për rishikimin e buxhetit, për Programin e rimëkëmbjes janë paraparë rreth 170 milionë euro.
Krahasuar me buxhetin aktual, kjo shumë është më e vogël për rreth 52 milionë euro. Por, në këtë shumë nuk është përfshirë blerja e vaksinave. Në projektbuxhet, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, parashihen ndryshime të buxhetit për 2021, për gjashtëmujorin e mbetur. Aty janë prekur një sërë projektesh infrastrukturore, disave prej të cilave u është zvogëluar shuma, disa janë larguar, e disave u është shtuar shuma.
Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës – që kishte buxhet prej 204 milionë euro për shpenzime kapitale edhe pas bashkimit me Ministrinë e Mjedisit – me rishikim është më i ulët për rreth 26 milionë euro.
Edhe pse Qeveria Kurti ishte shprehur kundër Autostradës së Dukagjinit, nga buxheti nuk është larguar në tërësi shuma e paraparë për studimin e fizibilitetit. Nga 200 mijë euro që ishin paraparë për këtë projekt, kanë mbetur rreth 50 mijë euro.
Për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale M9 Prishtinë-Pejë është zvogëluar shuma nga 400 mijë në 250 mijë euro.
Shuma është zvogëluar edhe për projektin e ndërtimit të rrugës Prishtinë–Podujevë. Nga 2.4 milionë euro që kanë qenë në buxhet, me rishikim do të jetë 1.9 milionë euro.
Nga buxheti është larguar projekti për ndërtimin e sheshit në Rahovec, për të cilin këtë vit kanë qenë të parapara 200 mijë euro. Por, me pezullimin e Memorandumit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Rahovecit, ky projekt është larguar.
Edhe nga projekti i Qarkores së Prishtinës është larguar shuma e paraparë prej 2 milionë euro.
Për rehabilitimin e rrugëve rajonale me projektbuxhet parashihen 100 mijë euro, ndërsa kanë qenë të parapara 18 milionë e gjysmë.
Shuma është zvogëluar edhe për ndërtimin e rrugës Besi–Merdare. Nga 5 milionë euro të parapara për këtë projekt, me ndryshimet buxhetore parashihen vetëm 100 mijë euro.
Ndërkohë, për rrugën nacionale Deçan–kufiri me Malin e Zi, Plavë, janë afro 600 mijë euro më shumë, përkatësisht rreth 1.6 milionë euro.
Shuma është shtuar edhe për ndërtimin e nënkalimit për automjete te hekurudha në fshatin Varosh. Nga 300 mijë euro që kanë qenë të parapara, shuma është rritur në 1.1 milionë euro.
Është rritur shuma e buxhetit për shpronësime. Nga 2.3 milionë euro, ajo është rritur për rreth 11.3 milionë euro, duke e çuar shumën në 14 milionë e 624 mijë euro.