Arbëri

Më 2025, në 16 lokacione u gjetën mbetje mortore të personave që dyshohen të zhdukur gjatë luftës

Andin Hoti Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë përfunduar gërmimet në 32 lokacione ku dyshohej për persona të zhdukur gjatë luftës së fundit. Nga këto, në 16 lokacione janë gjetur mbetje mortore, në 15 raste nuk është gjetur asgjë, ndërsa në një rast është vlerësuar se lokacioni nuk ka qenë në interes, u bë e ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Punës të shtunën.

Megjithatë, edhe këtë vit sfidë kryesore për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur ka mbetur mosbashkëpunimi i Serbisë, përfshirë refuzimin për të ofruar informacione kredibile dhe për të hapur arkivat që lidhen me varrezat masive të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, deklaroi se pavarësisht marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Serbia ka tërhequr dakordimin e saj, duke kërkuar ndryshimin e termave të referencës.

“Vazhdojmë të përballemi me sfida serioze për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Sfida kryesore mbetet mosgatishmëria e Serbisë për bashkëpunim, për dhënien e informacioneve kredibile dhe hapjen e arkivave të klasifikuara, të cilat vazhdimisht i kërkojmë në Bruksel dhe në takime bilaterale apo multilaterale”, ka thënë Hoti.

Ai rikujtoi se janë arritur dy marrëveshje në Bruksel: deklarata për personat e zhdukur në vitin 2023 dhe formimi i Komisionit të Përbashkët në fund të vitit 2024, të dakorduara nga të dyja shtetet. Megjithatë, Serbia ka refuzuar pjesëmarrjen në tri takime të thirrura nga Bashkimi Evropian – në janar, qershor dhe shtator të këtij viti.

Sipas Hotit, Serbia tani po kërkon riformulimin e termave të referencës, pasi nuk pajtohet me pikën që obligon udhëheqësin e procesit të informojë 27 shtetet anëtare të BE-së në rast të mospunës apo mosdhënies së informacioneve nga ndonjëra palë.

“Kjo është një tentativë për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe ne nuk do të pajtohemi me këtë. Do të vazhdojmë presionin që Serbia të hapë arkivat e klasifikuara, të cilat besojmë se përmbajnë të dhëna për fatin e 1.571 personave që ende figurojnë të zhdukur”, theksoi Hoti.

Sfidë e veçantë, sipas tij, ka qenë edhe lokacioni Kozhle në Serbi, ku gërmimet janë lejuar vetëm pas presioneve të vazhdueshme nga pala kosovare. Megjithatë, punimet janë ndërprerë disa herë nga autoritetet serbe, me arsyetimin e mungesës së kapaciteteve teknike, ndërkohë që nuk është lejuar as ndihma teknike nga Kosova.

“Në këtë lokacion dyshohet për një varrezë masive, por sipër saj ndodhet një deponi mbeturinash mbi 15 metra e trashë, e krijuar që nga viti 1999. Heqja e këtyre mbeturinave kërkon punë dhe vullnet, të cilin fatkeqësisht nuk po e shohim te pala serbe”, shtoi Hoti.

Ai bëri të ditur se për këtë vit gërmimet në Kozhle janë ndërprerë përfundimisht dhe nuk është caktuar ende ndonjë datë për vazhdimin e tyre.