Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Më 16 korrik Specialja shpall aktgjykimin kundër Pjetër Shalës

Pjetër Shala

Më 16 korrik, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të shpallet aktgjykimi kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, që akuzohet për krime lufte.

Shala ishte arrestuar në mars të vitit 2021 në Belgjikë dhe ishte transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në prill të atij viti.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt të vitit 2023 dhe në këtë proces gjyqësor morën pjesë tetë viktima. Ai është deklaruar i pafajshëm për katër pikat e aktakuzës: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës, pretendohet se në mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë”.

Në aktakuzë thuhet se viktima të krimeve, të cilat pretendohet se i ka kryer Shala, ishin persona që dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk e përkrahnin UÇK-në. Aty pretendohet se të ndaluarit në një fabrikë metali në Kukës u keqtrajtuan rregullisht, qoftë fizikisht apo psikologjikisht.

Sipas aktakuzës, Shala thuhet se “kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në krimet e pretenduara, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mosmarrjes së masave adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, dhe duke ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat u ngritën akuzat”.

Deri më tani, Dhomat e Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht.

Ndërkaq, aktualisht në Dhomat e Specializuara është duke u zhvilluar një rast gjyqësor, ai ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /REL