Arbëri

MD-ja kërkon masa ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në lirimin e Mefail dhe Edonis Shkodrës

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor që të nisin menjëherë procedurat gjyqësore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë në lirimin me dorëzani për fajde ndaj Mefail dhe Edonis Shkodra, tashmë të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Në një komunikatë për media thuhet se vendimi për lirimin e tyre është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm.

“Ministria e Drejtësisë është thellësisht e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Gjilan, ku humbën jetën tre qytetarë. Mefail dhe Edonis Shkodra, të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë dhe aktualisht në arrati, kishin qenë më parë në paraburgim dhe ishin liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme. Ministria e Drejtësisë i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, që të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë. Përgjegjësia ligjore, institucionale dhe morale duhet të jetë e plotë dhe e pakompromis”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, MD-ja u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që të ndalin pengesat e vazhdueshme ndaj reformave në sistemin e drejtësisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, reforma në drejtësi nuk është luks dhe as çështje e interesit të ngushtë politik por është një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Drejtësia nuk është pronë e askujt. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit ligjor. Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si alarm për të gjithë, pa një drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për të çuar përpara reformat e nevojshme dhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të drejtë, të pavarur dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Haxhiu: Sistemi i drejtësisë nuk po i trajton me seriozitet të dyshuarit për fajde

 

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se aktualisht, nga 1,752 persona që mbahen në institucionet korrektuese të Kosovës, prej tyre vetëm 4 janë të dënuar për veprën penale “Fajdeja” dhe 8 janë në paraburgim.

Sipas saj, “ky realitet është alarmues dhe tregon që pavarësisht ndikimit të madh që këto vepra kanë mbi jetën e qytetarëve, pasojat e tyre sociale dhe shpesh edhe tragjike, sistemi ynë i drejtësisë nuk po i trajton me seriozitetin dhe vendosmërinë që kërkohet”.

Haxhiu në një postim në Facebook ka shkruar se këto nuk janë thjesht vepra të izoluara, janë pjesë e një zinxhiri kriminal që godet më të pambrojturit dhe kontribuon në një ndjenjë të thellë padrejtësie në shoqëri.

Sipas saj rastet e fundit tragjike janë një dëshmi e qartë për pasojat që sjell neglizhenca institucionale ndaj këtyre fenomeneve.

“Me urgjencë duhet të rishikohen politikat ndëshkimore dhe të forcohet aspekti i hetimeve dhe ndjekjes penale për veprën penale të fajdes. Ne nuk mund të flasim për një shtet të së drejtës derisa kriminelët ecin të lirë, ndërsa viktimat jetojnë në frikë dhe pasiguri”, ka shkruar tutje ajo.