Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha ka thirrur për sot mbledhjen e kryesisë së legjislativit të ri, ndonëse ky i fundit nuk është konstituuar plotësisht pasi nuk është zgjedhur edhe një anëtar i kryesisë nga radhët e komunitetit serb.
Në njoftimin zyrtar të Kuvendit, bëhet e ditur se ky takim, ku janë thirrur katër nënkryetarët e zgjedhur të parlamentit, do të mbahet në orën 13:00.
“Takim konsultativ”, thuhet te pika e rendit të ditës së njoftimit të dërguar nga Zyra për media e Kuvendit.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e thirrur nga Basha, pasi ajo është antikushtetuese.
Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu, në një konferencë për media të mbajtur të hënën, ka thënë se ata nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e thirrur nga Basha.
“Për shumë seanca të cilat u shpallën jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese kanë qenë të paralajmëruara nga ne. Në këtë frymë ka qenë edhe seanca e fundit, e cila pa u kompletuar kryesia u mbyll seanca konstitutive. Në mbledhjen e cila është thirrur nga kryetari i kuvendit nuk do të marrim pjesë”, ka theksua Lushaku-Sadriu.
Ajo e ka quajtur “gabim teknik” votimin e Emilija Rexhepit për nënkryetare.
“Ne do të shohim fazat se si do të veprojmë. Bëjmë thirrje që të gjitha partitë politike t'i kthehen veprimet kushtetuese”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.
Dimal Basha u zgjodh kryetar nga radhët e Vetëvendosjes, por jo edhe kryesia prej pesë anëtarësh. Nënkryetarë u zgjodhën Albulena Haxhiu – Vetëvendosje, Vlora Çitaku - PDK, Kujtim Shala - LDK dhe Emilja Rexhepi nga komunitetet jo shumicë serbe.
Pasi nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk u zgjodh, Dimal Basha tha të shtunën se janë konsumuar të gjitha opsionet, duke e quajtur të mbyllur seancën konstituive.
Haxhiu thotë se Kuvendi ka legjitimitet për të vazhduar punën
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kuvendi e ka legjitimitetin dhe kapacitetin për të ushtruar punën e vet.
“Përveç kryetarit kemi edhe 4 nënkryetarë, dhe sot vetëm edhe njërin prej tyre ta kishim pasur do të mund të mbanim mbledhjen e Kryesisë sepse duhen 4 anëtarë që mbledhja të fillojë”, është shprehur ajo të hënën në deklarimin për media pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë.
Ajo ka thënë se situata në të cilën gjenden nuk është ideale dhe se ideale do të ishte në deputeti nga radhët e komunitetit serb Nenad Rashiq do të zgjidhej nënkryetar.
Për moszgjidhjen e tij ajo ka akuzuar partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë.
“Nuk mundet që ky Kuvend të mbahet peng nga Lista Serbe apo i kalkulimeve të ndonjë subjekti që refuzon të marrë përgjegjësi ... Opozita nuk ka votë kundër Listës Serbe, ka votë kundër për mua, për zonjën Donika Gërvalla, për Hekuran Muratin, për Arbërie Nagavcin, por jo për Listën Serbe”, është shprehur Haxhiu.
Basha për artikullin kundër UÇK-së: Kam kërkuar që emri im të hiqet nga punimi
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka folur sërish për artikullin kundër UÇK-së.
Ai ka kërkuar falje për siç ka thënë “pakujdesinë” e tij duke shtuar se ka kërkuar të hiqet kapitulli i punuar nga ai në atë punim, e po ashtu edhe emri i tij.
“Kërkoj falje për pakujdesinë time. Duhet ta pranoj që kam qenë i pakujdesshëm dhe i pavëmendshëm. Unë kam kërkuar që të tërhiqet kapitulli dhe emri im nga punimi. Unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë. Unë kërkoj falje për pavëmendjen time, por askush nuk mund ta vë në dilemë atdhetarizmin tim”, ka thënë ai.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, është kritikuar si bashkautor i një teksti në të cilin shkruhej ndër të tjera se UÇK-ja u financua nga trafikantët e drogës. Ndonëse nuk është fare i ndarë në kapituj, Basha deklaroi se pjesën ku pretendohet një gjë e tillë e ka shkruar bashkautorja Jana Arsovska. Pas kritikave të shumta që i mori në publik për artikullin, Basha pati thënë se e vetmja pjesë që e ka shkruar ai është kapitulli mbi fundamentalizmin islamik.
Basha: Kemi trysni nga miqtë ndërkombëtarë që Kuvendi të vazhdojë punën
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka thënë se një nga arsyet pse e ka konsituuar Kuvendin, ka qenë edhe trysnia nga miqtë ndërkombëtarë që Kuvendi ta vazhdojë punën.
Ka shtuar se atë ditë kur ka konstituuar Kuvendin ka vlerësuar se nuk duhet të bllokohet shteti për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari.
Basha ka thënë ka kuorum të mjaftueshëm për të pasur kuvend funksional.
“S’ka logjikë të bllokohet Kuvendi i Republikës për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari. I kemi pesë anëtarë në Kryesi. Të vazhdojë rrjedhja e afatit për caktimin e mandatarit dhe të kemi institucione funksionale siç na presin qytetarët. Kemi edhe trysni dhe kërkesa nga miqtë ndërkombëtarët që të vazhdojë puna e Kuvendit”, ka thënë ai.
Basha arsyeton konstituimin e Kuvendit me katër nënkryetarë: E kemi kuorumin
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se meqë Kuvendi ka kryetarin dhe katër nënkryetarët, ka kuorum për të vazhduar punën.
Sipas tij, të gjithë anëtarët e Listës Serbe janë vënë në votim dhe asnjë si ka marrë votat.
“Unë si kryetar është dashur ose t’i ndalojë punimet ose të vazhdojë punën. Unë kam vlerësuar që Kuvendi nuk duhet të mbetet jofunksional për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari. Unë kam përgjegjësi ta funksionalizojë Kuvendin”, ka thënë ai.
Basha ka thënë se ka pasur takim njoftues me presidenten Vjosa Osmani.
Ai ka theksuar se ka njoftuar atë lidhur me seancën konstituive.
Sipas tij, në mbledhjen e Kryesisë nuk kanë marrë pjesë Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala.
Basha ka deklaruar se në mungesë kuorumi ajo nuk është mbajtur.
Pas afro 60 seancave të dështuara, të martën Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Dimal Bashën për kryeparlamentar. Zgjedhja e tij, përveç nga 56 votat e LVV-së, u mundësua edhe me 14 vota të PDK-së dhe tri të AAK-së.
Në mbledhjen e thirrur nga Basha, vetëm Haxhiu dhe Rexhepi
Ka nisur mbledhja e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha pa përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Takimi i cili është thirrur si konsultativ, është refuzuar nga të dyja partitë me arsyetimin se është antikushtetuese
Në të po marrin pjesë kryetari Dimal Basha dhe nënkryetaret Albulena Haxhiu dhe Emilja Rexhepi.
Takimi po mbahet me dyer të mbyllura.
