(Artikull i përditësuar) - Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten në një seancë të jashtëzakonshme ka votuar për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove.
Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.
Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit urbanë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se këto fonde do të përdoren në shërbim të qytetarëve.
“Fondet që po i trajtojmë sot do të trajtohen për funksionalizimin e ndërmarrjeve publike, për mbrojtjen e vendeve të punës, për pagat e punëtorëve dhe për shërbimet bazike. Kërkoj publikisht që edhe fondet prej 35 milionë eurove, 25 të hyra vetanake dhe 10 mln grante qeveritare, që kërkojnë vetëm vullnetin e ministrit t’i jepen kryeqytetit. Ju falënderoj për përgjegjësinë për të qenë sot këtu”, ka thënë Rama.
E shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se kjo bartje do ta zgjidhë vetëm përkohësisht bllokadën që e ka shkaktuar Rama. Ai hodhi një mori akuzash ndaj kryetarit të Prishtinës.
Pika e dytë, ajo e votimit të buxhetit 2026 u shty. Rama tha se votimi i buxhetit do të ishte më mirë të bëhej nga asamblistët e rinj.
Rama pret që mjetet t’i alokohen Prishtinës sot
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se pret që të hyrat prej 28 milionë eurosh për vitin 2024 të bartën sot (e enjte 27 nëntor) pas miratimit në Asamble.
“Miratohen në Asamblenë e Kryeqytetit të hyrat e vitit 2024 në vlerë prej 28 milionë euro! Uroj që ministri në detyrë ta mbajë fjalën për alokimin e mjeteve të votuara sot”, ka shkruar Rama në Facebook.
Rama po ashtu ka thënë se janë edhe 35 milionë euro që janë bllokuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Si dhe 25M të hyra vetanake dhe 10M grant qeveritar, në total 35Milion që ende mbahen të bllokuara dhe që nuk kërkojnë asnjë procedurë në Asamble, por vetëm vullnetin e ministrit në detyrë për miratim!” ka shtuar ai.
Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten në një seancë të jashtëzakonshme ka votuar për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove.
Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.
Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.
Murati: VV-ja zhbllokoi pagesat në Prishtinë, jo si LDK-ja në Kuvend
Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave, ka komentuar votimin që Asambleja e Prishtinës ia bëri bartjes së të hyrave vetanake nga viti 2024 në 2025, edhe me votat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka thënë se ky votim zhbllokoi pagesat për shërbimet esenciale, teksa ka kritikuar Lidhjen Demokratike që sipas tij nuk zhbllokoi buxhetin në Kuvend të Republikës.
“Sot, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pra atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e bëri Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike. Sepse, siç është vërtetuar tash e sa herë, për Lëvizjen Vetëvendosje interesat e qytetarëve çdoherë kanë prioritet”, ka shkruar Murati në Facebook.
Murati në vazhdimësi ka akuzuar partitë që deri tash ishin në opozitë, për moskalim të Buxhetit 2026 në Kuvend të shtetit, por edhe atë të Prishtinës 2025.
Kuvendi Komunal i Prishtinës të enjten në një seancë të jashtëzakonshme ka votuar për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove. Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.
Kjo do t’u hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim.
Lahu: Brenda VV-së u kërkua të bllokohej ‘Pastrimi’ që Prishtina të mbushej me bërllok
Asamblisti i pavarur në Komunën e Prishtinës, Berat Lahu – dikur pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje – ka hedhur akuza të rënda ndaj shefit të asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla, duke thënë se brenda grupit ishte diskutuar që të bllokohej pastrimi i qytetit për qëllime politike.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme, Lahu e quajti “hipokrizi të rrezikshme politike” qasjen e Sveçës, duke përmendur sipas tij marrëveshje të fshehta dhe veprime që kanë dëmtuar interesin e qytetarëve.
“Nëse diçka po i bën dëm këtij shteti është hipokrizia. Dëmi në mikrofon mund të ketë qenë 15 euro, por dëmi në këmbimin e pronave në Badovc ka qenë 50 milionë euro”, u shpreh Lahu.
Ai akuzoi Sveçlën se kishte vepruar tinëz ndaj grupit dhe subjektit të tij politik kur kaloi këmbimi i pronave në Badovc. Madje u shpreh se kur e sheh Sveçlën i vjen për të vjellë.
VIDEO:
“Çfarë dëmi ke bërë ti para se me ardh në asamble, tinëza edhe grupit që i prin, tinëza edhe subjektit që i takon. Ky është dëmi për të cilin duhesh me fol. Kjo e mikrofonit tregon veç kulturën tënde familjare. Hipkrozia që boj marrëveshje me Rrahman Haradinin, për 50 mln euro dhe tani vi këtu kinse pe mbroj interesin e qytetarëve, më bon me vjell. Ti si person më bën me vjell kur ta di historinë dhe vjen shitesh në moralin politik që e ka pasur VV-ja dikur”, u shpreh Lahu.
Lahu ka thënë se këto lojëra prapa shpine e kanë tkurrur Vetëvendosjen në Prishtinë.
“Për katër vjet ia keni bërë argatin PDK-së për ta pru Uran Ismailin në balotazh. Keni arrit ta bëni LVV-në subjekt të tretë”, u shpreh ai.
Për çështjen e pastrimit të qytetit, Lahu ka thënë se brenda Vetëvendosjes është kërkuar ta pengojnë që Prishtina të dukej më keq, me qëllim politik.
“Brenda grupit u fol që: ‘hajde ta bllokojmë Pastrimin, të bëhet bërllok Prishtina e ta mposhtim Përparim Ramën’. S’mund të bëhem pjesë e kësaj. Është e turpshme, e ulët. Këtu rriten fëmijët e Kosovës”, deklaroi ai.
Sveçla akuzon Ramën se e ka sharë LDK-në: Kanë mjaftuar 10 minuta bisedë dhe ndonjë gotë
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka akuzuar kryetarin Përparim Rama për bllokadë. Ai thotë se qeveria në vazhdimësi i ka alokuar mjete, këtë vit 90 milionë euro por sipas Sveçlës, duhet pyetur Rama se ku kanë shkuar ato të holla.
Sveçla e ka akuzuar Ramën edhe për ndaljen e rrymës në çerdhen “Yllka”, për të cilën tha se nuk është paguar fatura që nga dhjetori i vitit të kaluar pavarësisht që komuna ka pasur mjete.
“Akuzon qeverinë, minstra, opozitën, veç LDK-në jo. Afër 90 milionë euro i janë alokuar komunës gjatë këtij viti nga qeveria. Vetëm në nëntor dy alokime. Njëra e parakohshme, me kërkesë të Komunës së Prishtinës. Për çfarë bllokade po flet Përparim? Çerdhet e fëmijëve janë lënë pa rrymë, jo pse s’ka pasur buxhet por sepse ato para Përparim i ke përdorur për pagesa të tjera, për njerëzit e tu, për pazaret e tua. Çerdhes “Yllka” që iu ndalua rryma para disa ditësh, pagesën e fundit e ke bërë në dhjetor të vitit të kaluar. Parat janë alokuar çdo muaj, ku i ke çuar Përparim? Ai nuk është veç menaxher i keq por edhe borxhli i keq. Iu ka borxh shumicës së ndërmarrjeve publike. Borxhe gjithandej”, deklaroi Sveçla në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Tutje Sveçla, e ka akuzuar Ramën se në të kaluarën e ka sharë LDK-në dhe sipas tij ka mjaftuar 10 minuta bisedë me të e shoqëruar me ndonjë gotë.
“Parimet dhe qëndrimet e tua i orienton interesi personal financiar. Ky orientim i yti është drejt LDK-së. Kur jemi te LDK-ja ti e din çka ke thënë për LDK-në e për Lumir Abdixhikun. Mjafton 10 minuta bisedë me ty, me pasë edhe ndonjë gotë me shoqëru dhe vazhdon rrëfimi yt i zakonshëm për LDK-në me një gjuhë jo aq akademike si partia dhe me shprehje të moshës madhore”, akuzoi Sveçla nga foltorja e Kuvendit Komunal të kryeqytetit.