Subvencionet janë ndarë për organizata e individë të ndryshëm nga viti 2018 e po vazhdojnë ende. Në kohën e ish-presidentit Hashim Thaçi një gjë e tillë ishte bërë pothuajse në mënyrë jotransparente. Së fundmi, kjo po bëhet përmes thirrjeve publike të shpallura nga ky institucion. Por, sipas njohësve të politikave publike, një gjë e tillë është jashtë mandatit të presidentit
Pa shpallje publike dhe në mënyrë jotransparente janë ndarë mijëra euro nga Presidenca për individë dhe organizata të shoqërisë civile në kohën sa ishte president Hashim Thaçi.
Që nga viti 2018 ky institucion ka ndarë mbi 730 mijë euro.
Së fundmi, kjo po bëhet përmes thirrjeve publike të shpallura nga ky institucion.
Por ndarjen e subvencioneve po e konsideron jashtë mandatit të këtij institucioni njohësi i politikave publike Bekim Salihu.
“Me shpalljen e konkursit për dhënien e subvencioneve nga ana e Presidencës konsideroj që është bërë veprim jashtë mandatit të këtij institucioni, për shkak se ky institucion nuk ka kompetenca ekzekutive, por ka kompetenca përfaqësuese”, ka thënë Salihu.
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në vitin 2020 ka gjetur se për shoqërinë civile dhe individët, përkatësisht projektet e tyre, janë ofruar 21 milionë euro mbështetje nga të gjitha institucionet qendrore dhe lokale.
Sipas Salihut, kjo flet që “veprimet e Presidencës pos që janë jo të ligjshme, janë edhe të panevojshme për shkak se janë një mori institucionesh të tjera që japin subvencione në fusha përkatëse”.
“Është e kuptueshme që Presidenca të mund të përfaqësojë dhe të ndihmojë kategori të caktuara qoftë grupe të minoriteteve apo grupe të margjinalizuara, por jo të dalë dhe të shpallë subvencione në fusha të përgjithshme për të mbështetur OJQ-të. Kjo nuk është kompetencë e këtij institucioni dhe këto lloj veprimesh do të duhej të ndërpriteshin në të ardhmen”, ka theksuar ai.
Por në Presidencë thirrjet e tilla për subvencione i kanë konsideruar plotësisht të ligjshme dhe në përputhje me Ligjin për ndarje buxhetore, si dhe Udhëzimin për ndarjen e subvencioneve nga Presidenca.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, thirrjen publike për ofrimin e mbështetjes financiare për financimin e projekteve/programeve për personat fizikë dhe OJQ-të e ka të bazuar në Ligjin nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, në Rregulloren MF - Nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve (21 qershor 2017), si dhe në Udhëzimin Administrativ (SZP) nr. 04/2021 për ndarjen e subvencioneve në Presidencë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Sipas përgjigjes, Udhëzimi Administrativ (SZP) nr. 04/2021 përcakton kushtet dhe procedurat për ndarjen nga buxheti i Presidencës, kategoria e subvencioneve, të mjeteve financiare, për personat fizik dhe juridik, duke përfshirë edhe OJQ-të.
“Thirrja publike është aktualisht e hapur në uebfaqen zyrtare të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, ashtu siç e parasheh Udhëzimi Administrativ dhe Zyra është në proces të pranimit të kërkesave të cilat do të shqyrtohen sipas legjislacionit përkatës”, thuhet në përgjigje.
Ndërkohë në listat që ka siguruar KOHA për subvencionet që ka ndarë Presidenca që nga viti 2018, shihen emra të individëve dhe organizatave të ndryshme, për të cilët nuk tregohet se për çfarë projekti janë përkrahur.
Shuma sillet nga 500 euro deri në 10 mijë euro për organizata apo për individë.
Bazuar në këto të dhënat gjatë 2018-s, ky institucion ka ndarë 240 mijë e 665 euro, më 2019 janë ndarë 255,104 euro, më 2020 janë ndarë 224,351 euro, kurse më 2021 janë ndarë 12 mijë e 700 euro.