Arbëri

Mbi 700 ish-punëtorë të RTP-së mbesin jashtë listës së 20-përqindëshit

Mbi 700 ish-punëtorë të Radio Televizionit të Prishtinës kanë mbetur jashtë listës së përfituesve të 20-përqindëshit nga procesi i likuidimit. Vetëm 201 ish-punëtorë janë në listën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të publikuar rreth një muaj më parë.

Sipas Komisionit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ata nuk kanë përmbushur kriteret, pasi një pjesë e tyre ka dalë në pension para privatizimit e pjesa tjetër nuk ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se kanë qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje.

Por, kjo listë po shihet si diskriminuese nga ish-punëtorët e RTP-së. Sipas ish-producentit të RTP-së, Qemajl Sokoli, në lista ka njerëz që nuk meritojnë të jenë aty, ndërsa janë përjashtuar ata që kontribuuan për shumë vjet.

“Kjo listë është diskriminuese edhe në bazë të rregullores së UNMIK-ut që ka qenë në 2003, por më së shumti nga Komisioni përzgjedhës që kanë qenë njerëzit të cilët nuk meritojnë të jenë aty dhe me qëllime tendencioze e kanë bërë atë listë. Nuk është listë përfundimtare. Është listë përzgjedhëse për listën përfundimtare, që duhet të jap Dhoma e Posaçme”, ka thënë Sokoli.

Shumë ish-punëtorë i janë drejtuar Dhomës së Posaçme me pretendimin për diskriminim.

Disa prej tyre këtë e kanë bërë edhe përmes Qendrës për Ndihma Juridike Falas që është në kuadër të Institutit Kosovar për Drejtësi.

Yll Zekaj nga IKD-ja ka thënë se një numër i madh i punëtorëve pa të drejtë kanë mbetur jashtë listave.

“Ne konsiderojmë që kjo është një padrejtësi që iu është bërë punëtorëve të RTP-së, duke pasur parasysh që këta nuk kanë një kontuinitet të punës nga viti ’90 dhe në vitin ’90 këta kanë qenë në marrëdhënie pune dhe ka punëtorë që 20-30 vite ka kontribuar në ndërmarrje në RTP dhe sot ka mbetur pa përfituar nga vendimi i AKP-së”, është shprehur Zekaj.

Ai ka thënë se presin nga Dhoma e Posaçme që të reflektojë dhe t’iu njihet kjo e drejtë.

“Jemi drejtuar me mjet juridik në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme duke atakuar pika të formës së diskriminimit të këtyre punëtorëve, të cilët në kohën kur ka pushuari së funksionuari kjo ndërmarrje i kanë plotësuar kushtet dhe pa të drejtën e tyre, ka kaluar 30 vite kur kjo ndërmarrje kalon në likuidim pa pasur një kontuinitet të veprimtarisë nga viti ’90 dhe ka pushuar së funksionuari”, ka shtuar ai.

E ish-producenti i RTP-së, Qemajl Sokoli, kërkon nga AKP-ja që ta tërheqë këtë listë.

“Ky bord ta tërheq këtë vendim, edhe këtë listë dhe së bashku të formojmë listën tjetër, pasi lista tjetër do të jetë e pastër dhe me punëtorë të RTP-së, që të mos i hyjmë në hak atyre që kanë kontribuar shumë, pasi RTP-ja është pushka jehuese e kombit e të gjitha kohërave”, ka shtuar Sokoli.

Procesi i likuidimit të RTP-së ka filluar më 18 janar të 2021-s në bazë të një vendimi të Bordit të Drejtorëve të AKP-së.