Arbëri

Mbi 70 për qind e stafit publik në Ferizaj vaksinohen pas kushtëzimeve

Pas 13 shtatorit, duke u bazuar në rekomandimet e Qeverisë së Kosovës për masat anti-COVID, asnjë zyrtar në institucione publike në Ferizaj nuk ka mundur të futet në institucione pa e paraqitur dëshminë e marrjes së vaksinës ose dëshminë e testit PCR, jo më të vjetër se 72 orë. Po ashtu kritere rreth kësaj çështjeje ka pasur edhe në ndërmarrjet publike, derisa punonjësit e tyre as 20 për qind nuk parën arritur të vaksinohen.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt, Abetare Kurti-Maliqi, ka thënë se rreth 70 për qind e stafit tashmë janë vaksinuar, ndërkohë një pjesë tjetër i kanë paraqitur dëshmitë e termineve për vaksinim dhe një pjesë tjetër janë shtyrë për shkak të sëmundjeve të ndryshme.

“Pas rekomandimeve të nivelit qendror deri më 13 shtator janë vaksinuar rreth 70 për qind e stafit të administratës, ndërkohë një pjesë e tyre përveç termineve po i sjellin edhe testet PCR çdo 72 orë, kjo për shkak se dikush mund të ketë pasur probleme shëndetësore e të tjera”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, Basri Syla, drejtor i kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastërtia”, ka thënë se mbi 60 për qind e stafit tashmë kanë përfunduar procesin e vaksinimit derisa pjesa tjetër kanë arritur t’i caktojnë tërminet e tyre. Sipas tij deri në vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës stafi i tyre kishin mbetur mbrapa me 20 për qind të vaksinuar.

“Vendimi i qeverisë dhe kriteret tona menaxheriale kanë ndikuar që stafi të vaksinohet mbi 60 për qind, ndërkohë ata gjatë ditës janë zëvendësuar me punonjës të tjerë me qëllim që shërbimi për menaxhimin e mbeturinave ndaj qytetarëve mos të ndërpritet. Kështu që po besoj se deri në fund të muajit të vaksinohen edhe pjesa tjetër që kanë caktuar tërminet e tyre”, ka thënë Syla.

Ai ka sqaruar se para 13 shtatorit kanë bërë kërkesë në Komunë që stafi të vaksinohet në mënyrë masive, por një gjë e tillë nuk është realizuar si pasojë e kritereve në programin E-Kosova.