Arbëri

Mbi 70 mijë votues nga diaspora marrin konfirmimin e KQZ-së

84 mijë aplikime për votim nga jashtë vendit i pranoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Prej tyre, mbi 71 mijë janë pranuar e gati 6.000 janë në shqyrtim. Për njohës të zhvillimeve politike, votat nga jashtë janë shprehje e vullnetit të diasporës kosovare për të kontribuuar në vend

Mbi 71 mijë qytetarë pritet të votojnë nga jashtë Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, kanë bërë të ditur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas përfundimit të afatit për aplikim.
Nga 84.700 aplikime, 6.700 janë refuzuar e 5.900 të tjera janë ende në shqyrtim. 

Për analistin Mazllum Baraliun, njëherësh ish-kryetar i KQZ-së, votat nga jashtë janë shprehje e vullnetit të diasporës kosovare për të kontribuuar në vend.  

“Mbi të gjitha vetëdija për ta ndihmuar dhe ndërtuar shtetin, sa më të fortë. Forma dhe metoda më e mirë, më demokratike është pikërisht votimi dhe zgjedhja dhe këta faktorë kanë ndikuar në rritje të interesimit”, ka thënë Baraliu.

Afati për aplikim ishte i hapur nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor, dhe janë tri mënyra votimi nga jashtë: dërgimi i pakos së fletëvotimit përmes postës në kutitë jashtë vendit, në adresën e KQZ-së brenda Kosovës, si dhe votimi fizik në përfaqësitë diplomatike.

Organizimi i votimit në qendrat alternative jashtë ambasadave mbetet pezull deri në vendimin e Gjykatës Supreme.

Pjesa më e madhe e votuesve janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51.000 sosh, për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2.500 të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Ndërsa rreth 18.000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

Kjo temë ka dominuar debatin gjatë javës, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për anulimin e 10 Qendrave Alternative të Votimit, pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

Vendimin e PZAP-së e ka apeluar Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa Gjykata Supreme ende nuk ka vendosur.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, nga jashtë u dërguan 79.053 vota, që përbënin 8.18 për qind të totalit.

Në vitin 2010, votat me postë ishin vetëm 1.053, ose 0.15 për qind. 

Rritja është bërë e dukshme në tri palë zgjedhjet e fundit: nga 5.201 vota në vitin 2017, në 19.789 më 2019, në 56.375 më 2021 dhe afër 80 mijë në zgjedhjet e shkurtit 2025.

Sipas Baraliut, rritja lidhet edhe me aktivizimin e partive politike drejt diasporës. Ai vlerëson se Vetëvendosje ishte subjekti që e shfrytëzoi më së shumti këtë potencial, duke nxitur më pas edhe subjektet e tjera të rrisin angazhimin.

“Tani kur e panë që Vetëvendosja arriti herën e fundit mbi 50% edhe këta të tjerët i janë kthyer diasporës, pra subjektet e tjera politike të cilat e kishin lënë në një mënyrë në margjinë çështjen e angazhimit, madje edhe degët atje, aktivizmin, përkrahjen e kështu me radhë, tani të gjithë janë shumë të interesuar dhe përpiqen sa më tepër të përfitojnë dhe tërheqin anëtarë nga diaspora”, ka deklaruar Baraliu.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosjaemori rreth 44 mijë vota nga jashtë, ose 80 për qind të votave të dërguara me postë. 

Në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, për herë të parë u votua edhe në përfaqësitë diplomatike.
Përveç tyre, shumë qytetarë udhëtojnë drejt Kosovës për të votuar fizikisht, por ata llogariten si votues të rregullt dhe nuk figurojnë në statistikat e votimit nga jashtë.