Përkundër obligimit ligjor për miratim të planeve të integritetit para 31 janarit, mbi 40 institucione, përfshirë Zyrën e Kryeministrit dhe Këshillin Gjyqësor nuk i kanë miratuar ato. Në bazë të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe vendimit të APK-së, institucionet duhet që me këto plane t’i vlerësojnë rreziqet për sjellje korruptive si dhe të vendosin masat për parandalimin e këtyre sjelljeve që cenojnë integritetin e institucionit
Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit i obligon institucionet t’i miratojnë planet e integritetit, me të cilat i identifikojnë rreziqet për sjellje korruptive e veprimet që cenojnë integritetin e tyre.
Në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e APK-së për këto plane ku përcaktohet si afat 31 janari 2024, 44 institucione nuk i kanë miratuar planet e integritetit, që parashohin edhe masa parandaluese në funksion të ruajtjes të integritetit të punës së tyre e parandalimit të sjelljeve korruptive.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tregon se ndër institucionet që nuk e kanë kryer këtë obligim janë Zyra e Kryeministrit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Lajmi jo shumë i mirë është që ka plot institucione, edhe institucione kushtetuese të cilat nuk e kanë kryer këtë ushtrim deri në fund duke filluar nga Avokati i Popullit, pastaj kemi KQZ-në e kemi KPM-në, KPPM-në, kemi edhe agjenci ekzekutive në Zyrën e Kryeministrit, siç është Agjencia për Barazi Gjinore, për shembull kemi edhe gjashtë nga shtatë universitetet publike të cilat nuk e kanë kryer, e publiku beson nga ajo që kemi kuptuar se edhe institucionet e arsimit të lartë janë të cenueshme nga aspekti i integritetit. Në anën tjetër, këtë plan nuk e ka kryer as Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, ka thënë Buleshkaj.
Lëvizja FOL u ka mbajtur trajtime zyrtarëve institucionalë për përpilimin e planeve të integritetit.
Albana Hasani, hulumtuese e lartë në FOL, ka thënë se është zhgënjyese që këto institucione ku përfshihet edhe pjesa më e madhe e universiteteve publike nuk e kanë plotësuar detyrimin ligjor.
“Përkundër trajtimeve, ata nuk e kanë përmbushur këtë obligim ligjor. Hartimi i planeve të integritetit është hap shumë i rëndësishëm në rritjen e integritetit dhe përgjegjësisë së institucioneve publike dhe në evidentimin e sjelljeve që mund të jenë edhe korruptive edhe të dëmshme për institucionin e sektorit publik”, ka deklaruar Hasani.
Si arsye për shkelje të afatit që parashihet në vendimin e APK-së për metodologjinë e planeve të integritetit në KGJK, në s humë institucione thanë se kanë shtrirje e strukturë shumë të gjerë dhe se synojnë plan gjithëpërfshirës, ndërsa në KPM u shprehën se kanë pasur vëllim të madh të punëve gjatë muajit të kaluar.
Në Zyrën e Kryeministrit e në Komisionin Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me çështjen.
Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thonë se ka qenë në kontakt me institucionet lidhur me këtë çështje dhe se ligji e as vendimi nuk parasheh sanksione lidhur me këtë çështje. Pas planeve të integritetit, APK-ja e ka paraparë që ta bëjë një hartë të rrezikut të korrupsionit që do t’i shërbejë këtij institucioni për përcaktim të fokusit në sfera të caktuara e institucione të caktuara.\
“Ne jemi duke kontaktuar në mënyrë të vazhdueshme me këto institucione për tu siguruar që sa më shpejt që të jetë e mundshme të kryhen planet pastaj ne të bëjmë monitorimin e zbatimit të tyre. Ky është një ushtrim i brendshëm i institucionit ku vetë-identifikojnë bëjnë vetëvlerësim të rreziqeve. Si pjesë komplementare e këtij procesi është pastaj një vlerësim që e ka bërë agjencia është procesi i Hartëzimit të rreziqeve të korrupsionit ku agjencia me metodologjinë e Këshillit të Evropës do të vlerësojë të gjitha institucionet të cilat se sa është rreziku, se janë të cenueshme këto institucione e pastaj do ta bëjë një klasifikim të tyre se cilat institucione janë më të rrezikuara”, ka thënë drejtori Buleshkaj.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e ka miratuar vendimin për miratimin e Metodologjisë për Planet e Integritetit më 16 korrik 2023. Ky dokument është i detajuar dhe parasheh hap pas hapi se si duhet të veprojnë institucionet lidhur me planet e integritetit, ku në fazën e parë është caktimi i koordinatorit dhe grupit punues që punon në këtë plan, pastaj në fazën e dytë përpilimi i pyetësorit të, anketës gjithëpërfshirëse të vetëvlerësimit dhe në fazën e tretë është plotësimi i tabelave me matës konkretë.
Në tabelën e vlerësimit të rrezikut të korrupsionit janë dy boshte, ku njëra është për gjasat për korrupsion apo veprime që cenojnë integritetin, ndërsa tjetri bosht është për pasojat ndaj integritetit të institucionit. Të dyja boshtet i kanë pikët e rrezikut nga 1 deri në 10. Në masat që i ka miratuar APK-ja në këtë rregullore bëjnë pjesë: forcimi i transparencës, publikimi proaktiv i informacionit në faqet e internetit, zbatimi i obligimit ligjor për qasje në dokumente publike, transparenca e vendimmarrjes, transparenca në procesin e përdorimit të fondeve buxhetore, eliminimi i ndikimit të jashtëm në punën e punonjësve; mbrojtja e personelit që raporton korrupsionin, konfliktin e interesit dhe sjelljeve jo etike; zbatimi i kodit të etikës dhe regjistrimi i marrjes së dhuratave nga punonjësit.
Në bazë të vendimit të APK-së, planet e integritetit duhet të përmbajnë përkufizimin e integritetit dhe rëndësisë së tij, vlerësimin e rreziqeve aktuale të integritetit të organizatës, një tërësi qëllimesh dhe objektivash për planin e integritetit, politikat dhe procedurat për të adresuar rreziqet e integritetit, si dhe procesin e monitorimit dhe vlerësimin e efektivitetit të planit të integritetit, që duhet të jetë specifik për institucionin.
Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit ja jep kësaj agjencie mandatin për mbikëqyrje të zbatimit të planeve të integritetit.
Të obliguara për t’i dërguar këto plane në APK janë 140 institucione, përfshirë autoritetet qendrore, agjencitë e pavarura dhe komunat. Ndër 44 institucionet që nuk i kanë bërë planet e integritetit janë edhe ministritë, si ajo e Ekonomisë, Mjedisit dhe e Bujqësisë, ndërsa nga komunat janë Fushë-Kosova, Graçanica, Kaçaniku dhe të gjitha komunat veriore, ndërsa nga organet e tjera, janë Autoriteti i Aviacionit Civil, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”.
I vetmi universitet që ka miratuar plan integriteti është ai i Gjilanit.