Situata me listat e pritjes mbetet e njëjtë sikurse gjatë vitit të kaluar. Në mbledhjen e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë prezantuar të dhëna për listat e pritjes, të cilat përkojnë me ato të vitit të kaluar. Në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme, mbi 14 mijë pacientë vazhdojnë të presin për shërbime shëndetësore
Mbi 14 mijë pacientë janë aktualisht në listë pritjeje për të marrë shërbime në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Gjatë raportimit, në mbledhjen e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të mërkurën është thënë se nga ky numër 12 mijë e 249 pacientë janë në pritje në 14 klinika të QKUK-së, shifër e cila ishte raportuar nga KOHA edhe në shtator të vitit 2025.
“Për Radiologji janë rreth 2 mijë e 900 pacientë që presin për MRI, CT etj. Klinika e Ortopedisë 2478 pacientë për proteza të gjurit dhe kërdhokullës (2020-2025). Në Oftalmologji, 1 mijë e 99, kryesisht katarakte. Kirurgjia Vaskulare 1570-1595 për vena varikoze. Kardiologji invazive 2599, koronarografi + EP + ICD. Kardiokirurgji 110, pritje 4+5 muaj. Kirurgji Torakale, 269, 215 tumore gjiri. Urologji (256 pacientë), Kirurgjinë e Fëmijëve (341 pacientë), Neurokirurgji (109 pacientë), Kirurgji Torokale (269 pacientë), Mjekësi Nukleare (220 pacientë), Kirurgji Plastike (240 pacientë), Kirurgji Maksilofaciale (33 pacientë)”, ka thënë Liridon Gashi, udhëheqës i Divizionit për Mbikëqyrje, Cilësi Dhe Siguri në Punë të SHSKUK-së.
E, 1 mijë e 902 pacientë janë në listat e pritjes në gjashtë spitale të përgjithshme. Ai i Gjakovës nuk ka lista pritjeje.
Ndër shkaqet kryesore të listave të pritjes u theksua mungesa e sallave operative, pastaj e anesteziologëve, si dhe rritja e kërkesës për shërbime shëndetësore.
Është diskutuar edhe furnizimi me barna nga lista esenciale. Në mbledhjen e fundit, të mbajtur më 4 dhjetor 2025, ishte kërkuar që çdo të premte të bëhet përditësimi i gjendjes në uebfaqen e SHSKUK-së.
Ky përditësim është bërë vetëm një herë, më 20 dhjetor, ndërsa nga ajo kohë SHSKUK-ja dhe Bordi nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS lidhur me moszbatimin e kësaj kërkese.
Në mbledhjen e së enjtes për këtë çështje kryesuesja e Bordit Tetore Olloni ka kërkuar llogari nga drejtori i përgjithshëm Elvir Azizi.
“Në vend të pyetjes sa i takon furnizimit me barna, në mbledhjen e fundit kemi kërkuar që të jetë publike. Të lutem, cila është arsyeja që ajo nuk po përditësohet? A ka mundësi ta delegojmë këtë përgjegjësi që lista e barnave të jetë e përditësuar në uebfaqe”, ka thënë Olloni.
Por për këtë drejtori i përgjithshëm nuk ishte as i informuar.
“Të them të drejtën kërkesa e juaj është adresuar menjëherë edhe është kërkuar prej shërbimit farmaceutik të QKUK-së që me e përditësu çdo javë. Unë nuk e kam përcjellë mbasandej a po përditësohet në vazhdimësi”, është shprehur Azizi.
Në mbledhje është theksuar edhe mungesa në orare të caktuara apo vonesa e mjekëve të angazhuar në ambulancat specialistike. Për këtë nga Bordi është kërkuar që një herë në javë të publikohen emrat e mjekëve që shërbejnë në ambulancat specialistike, si dhe emrat e atyre që janë kujdestarë.