Arbëri

Mbi 120 raste të iniciuara në Ferizaj për mosrespektim të masave

Një pjesë e madhe e qytetarëve në Komunën e Ferizajt po i shpërfill rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për mbajtjen e maskave dhe izolimit pas orës 21:00.

Kjo ka bërë që Inspektorati i Komunës me mbështetje të Policisë së Kosovës të iniciojnë për gjykatë mbi 120 lëndë për kundërvajtje. Po ashtu janë mbyllur 15 lokale afariste ndaj të cilave janë iniciuar kallëzime penale në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

Maliq Muharremi, zyrtar ligjor në Inspektoratin Komunal të Ferizajt, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë i ka angazhuar edhe tre inspektorë shtesë në qytetin e Ferizajt për monitorimin e situatës në 24 orë.

Disa qytetarë kanë thënë se nuk frikësohen nga pandemia Covid-19 dhe nuk do t’i respektojnë masat mbrojtëse as në të ardhmen, derisa masat e Qeverisë së Kosovës janë antikushtetuese.

Inspektorati i Komunës gjatë ditëve të fundit, sipas Ligjit mbi sëmundjet ngjitëse, ka lëshuar mbi 240 vendime për izolim 14-ditor ndaj personave me koronavirus.