Ngërçi politik i ka lënë pa vendimmarrje mbi dhjetë institucione të pavarura, bordet e të cilave zgjidhen apo kompletohen nga Kuvendi. Në kohën e rritjes së çmimeve, pa funksion ka mbetur Autoriteti i Konkurrencës, në të cilin nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm përbrenda bordit për t’u shqiptuar dënime abuzuesve. E njohës të çështjes bëjnë thirrje që Kuvendi, tash pas konstituimit, t’i funksionalizojë me urgjencë këto borde
Nga 34 institucione e agjenci të pavarura që monitorohen nga Kuvendi, mbi dhjetë janë pa borde funksionale apo pa drejtues me mandat të plotë.
Ato kanë mbetur pa vendimmarrje, për shkak të bllokadës politike në Kuvend, meqë drejtorët apo bordi i këtyre institucioneve zgjidhet ose kompletohet nga ky organ legjislativ.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Kuvend nuk ofruan shifra për numrin e saktë të institucioneve pa borde funksionale. Në mesin e tyre, pa kuorum ka mbetur edhe Bordi i Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka qenë duarlidhur karshi abuzimit me çmime.
Pa mundësi për të marrë vendime a për të trajtuar ankesa janë edhe Komisioni i Pavarur për Media, Bordi për Ankesa i Mediave, e edhe Komisioni për Miniera dhe Minerale, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Radio Televizioni i Kosovës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave dhe të tjera.
Pa mandat është edhe Avokati i Popullit.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se Kuvendi duhet ta ketë prioritet kompletimin e këtyre bordeve, funksionimi i të cilave është garanci për mbrojtjen e të drejtave sociale e ligjore të qytetarëve, por edhe siguresë për funksionimin e rregullt të institucioneve.
“Kuvendi i Republikës duhet ta ketë parasysh këtë fakt dhe kur janë mundësitë reale që të plotësohet numri në secilin prej bordeve patjetër që duhet që këto çështje t’i trajtojnë me urgjencë, e jo t’i lënë pezull, t’i neglizhojnë këto çështje dhe bordet të mos jenë të përfaqësuara në numrin maksimal të anëtarëve që duhet të jenë pjesë e atij bordi”, ka thënë Melos Kolshi, hulumtues në IKD.
Në Kuvend nuk janë përgjigjur në pyetjen nëse aktualisht kanë pranuar emra të kandidatëve për borde të agjencive a institucioneve, e që janë në pritje të emërimit.
Mes këtyre institucioneve janë disa me përbërje funksionale, por të pakompletuara tërësisht.
Një prej tyre është Gjykata Kushtetuese, së cilës i mungojnë dy gjyqtarë, dhe dorëheqja apo skadimi i mandatit të vetëm njërit prej atyre që janë aktualisht, do ta linte këtë institucion pa funksion.
Tash pas formimit të Qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit, Melos Kolshi nga IKD-ja bën thirrje që përbërja e bordeve të mos politizohet.
“Nuk duhet të vihet në konsideratë që në ato borde të vendosen njerëz partiakë, sepse bordet nuk janë adresë ku duhet të punësohen njerëz partiakë, për arsye që bordet kërkojnë profesionalizëm, punë të madhe dhe përkushtim”, ka deklaruar Kolshi.
Për emërimin e anëtarëve të bordeve në ndërmarrjeve publike, përgjegjëse është edhe Qeveria.