Byroja Kosovare e Sigurimeve ka paralajmëruar dhjetëra punëtorë se nuk do t’ua vazhdojë kontratat në vitin 2021. Në dokumentet që ka siguruar KOHA nuk përmenden arsyet e këtyre shkurtimeve, e as nëse ka pasur raporte vlerësuese për punëtorët. Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, zyrtarët e Byrosë kanë përmendur krizën financiare si pasojë e pandemisë COVID-19
Afro 60 punëtorë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve janë paralajmëruar se nuk do t’u vazhdohet kontrata në vitin e ardhshëm. Derisa në dokument nuk tregohen arsyet për këtë shkurtim të stafit, zyrtarët e BKS-së kanë përmendur vështirësitë financiare të shkaktuara nga pandemia me COVID-19.
“Ky njoftim bëhet në bazë të dispozitës ligjore të nenit 71 par. 2 të Ligjit Nr. 03/L – 212 i Punës, me të cilin përcaktohet se ‘Punëdhënësi, i cili nuk ka për qëllim të ripërtërijë kontratën me periudhë të caktuar duhet të informojë të punësuarin së paku tridhjetë ditë (30) para skadimit të kontratës’, i cili detyrim konsiderohet i përmbushur me dërgimin e këtij njoftimi”, thuhet në njoftimin të cilin ua ka dërguar punonjësve ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv, Sami Mazrekaj.
I kontaktuar nga KOHA, Mazrekaj nuk e ka mohuar as pohuar nëse numri i atyre që nuk u vazhdohen kontratat është 60. Vetëm ka theksuar se “Byroja Kosovare e Sigurimit nuk ia ka shkëputur kontratën e punës asnjë punëtori të saj, por nuk i ka vazhduar disa për vitin 2021, ku të gjitha ata janë njoftuar me kohë sipas ligjeve në fuqi”. I pyetur rreth arsyeve që kanë çuar deri te ndërprerja e kontratës, Mazreku ka folur për dëmet që ka shkaktuar pandemia.
“Më shumë se çdo sektor tjetër në vend pandemia i ka shkaktuar dëme të mëdha industrisë së sigurimit, por edhe Byrosë Kosovare të Sigurimit, por siç e thashë edhe në pyetjen paraprake, BKS-ja nuk ia ka shkëputur kontratën asnjë punëtori, pra nuk bëhet fjalë për largime nga puna, por nuk i ka vazhduar disa nga to për vitin 2021, gjithmonë duke reflektuar të gjitha ligjet e aplikueshme në vendin tonë”, ka deklaruar ai.

Kontratat nuk u janë vazhduar pavarësisht faktit se Byroja ende nuk e di sa do të jetë buxheti për vitin e ardhshëm.
“Projektbuxheti për vitin 2021 dallon dukshëm në tërësi nga ai i vitit paraprak, por për të njëjtin nuk mund të flas ende, pasi që i njëjti ende nuk është nënshkruar, para se të hyjë në fuqi”, ka thënë Mazreku.
Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar në vitin 2011 nga kompanitë e sigurimit që janë të licencuara për të operuar në Kosovë. Qeveria e Kosovës ia njeh statusin e Byrosë Nacionale të Sigurimit me të drejta të pakufizuara, në cilësi të byrosë paguese dhe byrosë trajtuese, që garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtar të sigurimit.
Në kuadër të Byrosë Kosovare të Sigurimit funksionojnë Fondi i Kompensimit, Sigurimi Kufitar, Qendra Informative e Sigurimit dhe Kartoni i Gjelbër.
BKS-ja nuk është institucion qeveritar apo publik që financohet nga buxheti i Kosovës, por financohet plotësisht nga kompanitë e sigurimit në Kosovë, të cilat funksionojnë si shoqëri tregtare, konform Ligjit mbi shoqëritë tregtare, Ligjit mbi Sigurimet, si dhe Ligjin mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto-përgjegjësia. Byroja Kosovare e Sigurimit dhe anëtarët sigurues të saj i nënshtrohen mbikëqyrjes së Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo e fundit, vitin e kaluar ka marrë vendim që t’i rrisë tarifat për sigurimin e detyrueshëm për automjetet për pasagjerë. Rritja e çmimit mbi 26 për qind ka ardhur pas ankesave të kompanive të sigurimit për dëme të mëdha financiare. Por, ky vendim kishte nxitur reagime të shumta. Përveç qytetarëve të pakënaqur që protestuan kundër rritjes së tarifave, pati reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMLDNJ). Ky këshill e ka kundërshtuar rritjen e tarifave të sigurimit të automjeteve, duke e konsideruar si goditje për xhepin e qytetarëve të Kosovës nga ana e kompanive të sigurimeve.