Arbëri

Mbesin 15 vatra aktive të zjarrit, kërkohet ndërhyrje ajrore nga KFOR-i

zjarret

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se janë 15 zona aktive të zjarrit në nivel vendi, të shtunën në mbrëmje, teksa ka bërë të ditur se ka kërkuar nga KFOR-i ndërhyrje ajrore për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

Sipas një njoftimi në mbrëmje, të shtunën kanë qenë 40 vatra zjarri, prej të cilave 25 janë lokalizuar.

“Situata më e rënduar është regjistruar në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, ku është kërkuar asistencë nga njësi të tjera. Në këtë operacion janë angazhuar njësitë e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ndërkohë që është bërë edhe kërkesë për ndërhyrje ajrore nga KFOR-i për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit”, thuhet në njoftim.

Agjencia ka përsëritur apelin që qytetarët të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër që shohin.