Arbëri

Mbahet tubimi përkujtimor për masakrën e Dubravës

tubimi per masakren e Dubraves

Ish-të burgosur, familjarë, të mbijetuar të masakrës së Dubravës e zyrtarë shtetërorë kanë marrë pjesë në takimin përkujtimor të masakrës, të enjten.

Më 19 maj shënohet përvjetori i Masakrës së Dubravës. Në këtë datë të 1999-s është kryer një prej masakrave më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi serb, ku brenda burgut ishin vrarë 160 shqiptarë dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë.

Kjo masakër është kryer brenda pesë ditëve, nga 19 deri më 24 maj.

Nga aty kanë dalë edhe dëshmitarë që i kanë mbijetuar masakrës, e që pastaj kanë rrëfyer për tmerrin e përjetuar. Për këtë masakër s’është dënuar ende askush, por po zhvillohet proces gjyqësor ndaj Gavrilo Milosavleviq, gardian në atë kohë, që dyshohet për vrasje masive. Ai është i vetmi i akuzuar për këtë masakër.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

"Ata u vranë vetëm pse u angazhuan për të drejtën për të jetuar të lirë në tokën e tyre. Në vend që të mbroheshin, u bënë cak i një krimi sistematik, një krimi që sot, 26 vjet më vonë, ende kërkon drejtësi.
Dubrava mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë kolektive, por edhe dëshmi e pashlyeshme e brutalitetit të shtetit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve të Kosovës", ka shkruar ajo.

E, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e quan një nga krimet më makabre që serbët kryen ndaj shqiptarëve. Ai kujtoi edhe masakrën në Vushtrri, ku forcat serbe ekzekutuan burra, gra, pleq e fëmijë, pa dallim.

"Masakra e Dubravës zbardhi fytyrën e vërtetë të gjenocidit serb, me një qëllim të vetëm, zhdukjen e qenies shqiptare përmes spastrimit etnik... Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë, e vështirë dhe e mbushur me sakrifica. Shteti serb, edhe më tutje refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera, e ne vazhdojmë betejën për të vërtetën. Kosova nuk harron!" ka shkruar ai në Facebook.