Arbëri

Matet Kurti

Një ditë para seancës për formimin e Qeverisë së re, nuk është konfirmuar ndonjë koalicion që ia siguron Vetëvendosjes shumicën në Kuvend. Kësisoj, Albin Kurti bëhet mandatari i parë për kryeministër që del të “matet” në seancë para deputetëve, pa e siguruar paraprakisht shumicën. Bashkëpunimin me PDK-në e ka përjashtuar prej kohësh, e në LDK kanë thënë se nuk do të votojnë pro qeverisë

Albin Kurti do ta paraqesë para deputetëve të dielën, përbërjen e kabinetit qeveritar që synon ta ndërtojë, e edhe programin e qeverisë. Por, është mandatari i parë për kryeministër që del të “matet” në seancë, pa e siguruar paraprakisht shumicën.

Lëvizjes Vetëvendosje së cilës i prin Kurti, i duhen së paku edhe pesë vota që të sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për votimin e suksesshëm të Qeverisë së re.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Përkrahje ka edhe prej shtatë deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.

Një ditë para mbajtjes së seancës për formimin e Qeverisë së re, mandatari për kryeministër nuk ka treguar nëse i ka siguruar votat shumicën e votave në Kuvendin që përbëhet prej 120 deputetësh. Pas një aktiviteti që ka zhvilluar gjatë ditës, ai është pyetur nga gazetarët për marrëveshje të mundshme koalicioni, por nuk është përgjigjur.

Seanca plenare për formimin e Qeverisë është paraparë të mbahet të dielën, nga ora 10:00.

Në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar mundësinë e bisedimeve me subjektin e dytë për kah fuqia e votës, Partinë Demokratike (PDK), dhe e lënë derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike (LDK) dhe me Nismën Socialdemokrate.

Por, në LDK e kanë refuzuar çdo lloj bashkëpunimi. E këtë e ka konfirmuar sërish të shtunën deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami.

“Mua nuk më ka kontaktuar askush nga Lëvizja Vetëvendosje, teksa anëtarët e tjerë të partisë nuk i kam pyetur. Por qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar”, ka thënë Bajrami, një prej kritikeve më të mëdha të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

E, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, ka konfirmuar këtë javë se nuk do të votojë për Qeverinë Kurti 3. Ai ka qenë ndër politikanët që ka negociuar me Kurtin për marrëveshje koalicioni, por sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, kërkesa e tij ka qenë e papranueshme. Limaj, partia e të cilit ka tre deputetë në këtë legjislaturë, nuk ka kërkuar hise në qeveri, por vetëm postin e kryeparlamentarit. Ndërkaq, Vetëvendosja ia ka ofruar atë të nënkryetarit të Kuvendit dhe dy pozita zëvendësministri.

Në të gjitha proceset e deritashme të formimit të qeverisë, që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim: Bajram Rexhepi në 2002-n, Ramush Haradinaj në 2004-n, Bajram Kosumi në 2005-n, Agim Çeku në 2006-ën, Hashim Thaçi në 2008-n dhe 2010-n, Isa Mustafa në 2014-n, Ramush Haradinaj në 2017-n, Albin Kurti në 2020-n dhe 2021-n, si dhe Avdullah Hoti në 2020-ën. Votimi për Hotin u kontestua, meqë rezultoi se një deputet nuk kishte të drejtë të zgjidhej, e për rrjedhojë vota e tij që ishte përcaktuese për zgjedhjen, u konsiderua jokushtetuese.

Për vështirësi në formimin e Qeverisë, Kurti ka folur më herët në një tubim me diasporën në Londër.

“Këto ditët e mbetura jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar. Nuk është e lehtë sepse nuk di se si tu shpjegoj... Pak e keni ndje dhe ju vet por është intosikuar atmosfera. Ka shumë xhelozi e inate, më shumë se ide, punë e pasion, por jemi ku jemi tash këtu. Do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë, por si duket alternativa do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka thënë ai.

Por, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se problemi qëndron tek Vetëvendosja, së cilës subjektet e tjera ngurrojnë t’i bashkohen në qeverisje.

“Më duket që Kurti ose po e bën qëllimshëm, ose e ka humbur kuptimin pse qëndron aty. Qe 10 muaj diskutojmë a janë numrat, a s’janë”, ka thënë ai.

Kushtetuta parasheh që në rast se përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën, atëherë presidenti duhet që brenda dhjetë ditësh ta emërojë një mandatar të dytë. Bazuar në aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, caktohet mandatari nga cilado parti që dëshmon se e ka shumicën në Kuvend. Por, edhe partitë oponente të Vetëvendosjes, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë shprehur qëndrimin se nuk kanë vota dhe nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën, për ta lënë jashtë qeverisë LVV-në.

Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën shqipe, ka paralajmëruar se do t’i ftojë të gjitha partitë për konsultime, në rast se formimi i qeverisë dështon të dielën.

“Nëse s’ka marrëveshje, si presidente, do t’i ftoj të gjitha partitë politike nëse ka mundësi që dikush të krijojë shumicën. Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por është alternativë nëse nuk krijohet shumica”, ka thënë Osmani.

Edhe mandatari i dytë, në rast të emërimit, do t’i ketë 15 ditë kohë për t’ia propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e saj. Nëse as kjo përpjekje nuk rezulton me sukses, presidenti shpall zgjedhje të reja të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga dita e shpalljes.

Dinamika politike mund të ndikohet edhe nga një vendim eventual i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me ankesën e Listës Serbe për moszgjedhjen e asnjërit prej 9 deputetëve të saj nënkryetar Kuvendi. Në rast se deri të dielën Kushtetuesja vendos masë të përkohshme, Kuvendi nuk mund të marrë veprime në funksion të formimit të qeverisë.

Shkaku i dallimeve politike, edhe konstituimi i Kuvendit është bërë tek para dy javësh, ndonëse zgjedhjet janë mbajtur në fillim të shkurtit.