Qeveri stabile dhe me mandat të fuqishëm pas zgjedhjeve të 14 shkurtit pret emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ai nuk e sheh pengesë faktin se dialogu do të shkojë në pauzë, teksa ka shtuar se Kosova duhet të tregojë përkushtim pasi të rinisë procesi. Diplomati evropian i ka bërë këto komente gjatë një diskutimi online me ambasadoren e Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara, Emily Haber, ku u fol për rëndësinë e koordinimit mes ShBA-së dhe BE-së në arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.
Lajçak e ka bërë të qartë se nuk synon t’i çojë palët drejt një ujdie sikurse ajo e 4 shtatorit në Uashington, së cilës ia numëruan edhe defektet.
“Marrëveshja e 4 shtatorit nuk është marrëveshje por deklaratë e zotimeve. Ato janë veç deklarata politike, por nuk ka mekanizma zbatues, nuk ka afate. Pra gjithçka varet vetëm nga vullneti i palëve. Nuk mund të ketë tregti të lirë nëse ekzistojnë çështjet e hapura për kufijtë, dokumentet e identifikimit. Duhet modeli evropian për Ballkanin. Ne po negociojmë marrëveshje që do të jetë e qartë në të gjitha pikat e saj, do të vendosen edhe afate për zbatimin e tyre. E dimë se në të kaluarën ka pasur nga dy interpretime për të njëjtën çështje, por tani duhet të jemi të qartë dhe të mos lëmë hapësira të tilla”, ka thënë Lajçak.
Dy gjërat që synon t’i arrijë Lajçaku
Në të kaluarën as BE-ja nuk u kishte vendosur afat marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, shumë prej të cilave nuk kanë gjetur zbatim ende. BE-ja në rolin e ndërmjetësuesit të këtij procesi vetëm ka njoftuar për takimet e mbajtura përmes komunikatave për media, por nuk i ka interpretuar marrëveshjet. Kjo ka prodhuar paqartësi dhe mungesë transparence. Tani Lajçak ka thënë se dy gjëra synohet të arrihen në dialog që gjithçka që është arritur në të kaluarën të zbatohet dhe marrëveshja finale t’i përfshijë të gjitha çështjet e hapura. Ai e ka pranuar se BE-ja nuk është dinamike sa duhet në vendimet strategjike teksa ka kërkuar ndihmën e SHBA-së.
“Vitin e kaluar ishin dy rrugë, shpesh të pakoordinuara. Partnerët në rajon ishin konfuzë me situatën, teksa na kërkonin të mos i vendosnim në situatën kur duhet të zgjedhin mes SHBA-së e BE-së. Veprimi ndaras ka qenë gabim. Tri dokumentet e vullnetit të mirë u nënshkruan vitin e kaluar pa konsultim me BE-në, edhe pse Komisioni Evropian ka pasur projekte të ngjashme. Kjo nuk e ndihmon askënd dhe besoj se ky duhet të jetë mësim për të dyja palët që të arrijmë sukses në dialog”, ka potencuar Lajçak.
Për nevojën e adresimit të të gjitha çështjeve të hapura dhe vendosjen e afateve ka folur edhe ambasadorja gjermane.
“Fokusi ynë për Ballkanin dhe angazhimi që Kosova dhe Serbia të arrijnë shpejt një marrëveshje do të vazhdojë. Nga e kaluara e dimë se çfarëdo që shkon keq andej ka ndikim edhe në BE. Kemi parë se çfarë efekti kanë pasur luftërat e viteve ‘90. Ne po merremi me një problem që realisht ndodhet para nesh. Prandaj mesazhe politike të përbashkëta nga BE-ja dhe ShBA-ja për objektivat tona të përbashkëta janë të rëndësishme”, ka thënë Emily Haber - ambasadore e Gjermanisë në SHBA
Por Lajçak nuk ka ofruar garanci se marrëveshja do të arrihet shpejt dhe se ajo do t’i hapte rrugë njohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë. Megjithëkëtë ka insistuar se për ta synuar Kosova këtë duhet të përbëjë lajm të mirë. Ky lajm, sipas tij, do të ishte marrëveshja finale me Serbinë, për të cilën ka thënë se do të implikonte edhe ndryshime ligjore e kushtetuese.
“Askush nuk mund të garantojë sepse, siç e dini, kjo është e drejtë e shteteve individualisht. Si ministër i Jashtëm i Sllovakisë, një nga pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, shpesh jam pyetur disa herë për këtë. U kam thënë, na e jepni një lajm të mirë!”, ka thënë Lajçak.
Zyrtarisht Bashkimi Evropian vazhdon të mbetet i mandatuari i vetëm nga OKB-ja sipas një rezolute të vitit 2011, për ta lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi.
Por kundërthëniet rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kanë zbehur entuziazmin e palëve. Edhe pse kjo zyrtarisht u mohua, negociatat ngecën kur në rend dite Serbia kërkoi që të futet Asociacioni. Kjo u refuzua nga Kosova me arsyen se kjo temë nuk mund të rihapet sërish në tryezën e negociatave. Por BE-ja e ka bërë të qartë se gisht në draftimin e statutit të Asociacionit duhet të ketë edhe Serbia.
Në vizitën e fundit në Prishtinë dhe Beograd, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, e bëri të qartë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin.