Arbëri

Maratona e dështimeve në Kuvend, s’ka sinjale për zhbllokim

Tentimi i 12-të për konstituim të Kuvendit

Foto: Driton Paçarada

Në ditën e 132-të të bllokadës institucionale, nga partitë politike nuk ka pasur sinjale për tejkalim të krizës. Në selinë e PDK-së në Prishtinë ka pasur mbledhje të kryesisë e të grupit parlamentar por pa ndonjë vendim që mund të çojë në ndryshimin e qëndrimeve. E Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar PDK-në se si udhëheqëse e ish-opozitës po përdor pretekste për të penguar konstituimin e Kuvendit.

Deputetëve të Kuvendit të Kosovës u kanë mbetur edhe 24 ditë afat kushtetues për ta konstituuar Kuvendin. Një ditë para vazhdimit të seancës konstituive, mbledhje disaorëshe, të kryesisë e të grupit parlamentar ka mbajtur Partia Demokratike e Kosovës. E pyetur për epilogun e takimeve, sekretarja e PDK-së dhe deputetja Vlora Çitaku, tha se nuk pritet ndonjë befasi.    

PDK-ja nuk i është përgjigjur pyetjeve me shkrim se a do ta vononte grupi i saj Dimal Bashën nëse do të propozohej për kryetar Kuvendi, të martën. Përfaqësues të saj kanë përsëritur pozicionin partiak të një dite më parë, kur kanë thënë se po qe se kryesuesi Avni Dehari do t’u aprovonte pauzën 10-minutëshe mbase do të mund të votonin Bashën.  

Qëndrimi i djeshëm i PDK-së është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve. Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë për “Kosovapress” se mosvotimi i kandidatit të tyre dëshmon për qasjen bllokuese të këtij subjekti.

“Kanë thënë vazhdimisht: ‘Ndërroni kandidatin’. Dyqind ditë e kanë mbajtur peng Kosovën me këtë kërkesë. Kur ne e ndërruam kandidatin, ata përsëri votuan kundër. Më pas thanë se nuk duhet të jetë ministër, por deputet. Kur ne propozuam deputetë, ata përsëri votuan kundër. Domethënë, ata thjesht po kërkojnë pretekste për të justifikuar veprimin e tyre bllokues”, ka thënë Rrustemi.

Sipas Rrustemit, synimi i PDK-së është që t’i bëjë votat për një Qeveri të pakicës. 

“Është e dukshme që opozita, e veçanërisht PDK-ja, është në koordinim të plotë me Listën Serbe. Ajo po llogarit në votat e tyre, jo vetëm për të bllokuar, por edhe për të ndërtuar një qeveri të mundshme të drejtuar nga opozita bashkë me Listën Serbe. Unë jam i bindur që plani i PDK-së – sepse ajo po e dikton kursin e opozitës – është që ta bllokojë Vetëvendosjen në konstituimin e Kuvendit dhe, eventualisht, të sigurojë votat e Listës Serbe për të ndërtuar një qeveri të pakicës”, ka shtuar ai.

Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët i kanë mbajtur dhjetëra vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në bazë të aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.