Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një rrëfim në 18-vjetorin e Pavarësisë, ka dhënë detaje nga e kaluara e tij e deri te posti i ministrit. Në KTV, Maqedonci ka rrëfyer momentet kur kishte vendosur t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke ardhur nga Zvicra.
Ai ka treguar se është kthyer në Kosovë në mars të 1998-s. Fillimisht ka thënë se përgatitjet i kanë kryer në Shqipëri, në mënyrë të fshehur.
“Vendimi për mua ka qenë me të vërtetë i lehtë sepse kam qenë i bindur se vetëm lufta çlirimtare, e armatosur, është mjeti që do ta çlironte Kosovën. Pavarësisht të gjitha angazhimeve politike që i vlerësoj prej vitit 1990, por lufta çlirimtare ishte mjeti i fundit nga populli ynë për të arritur te liria”, ka thënë ai.
Maqedonci e ka cilësuar si sfidën më të madhe të atyre muajve njoftimin e familjes për përfshirjen në luftë.
“Thirrja nga Zvicra në telefon do ta rrezikonte familjen. Tek pas një muaji që kam qëndruar në Prishtinë kam njoftuar familjen. Nga 18 marsi deri në fund të prillit s’e kanë ditur”, ka thënë ai.
Ndërsa momentin më emocional e ka vlerësuar futjen në territor të Kosovës nga Shqipëria.
Maqedonci në luftë ishte komandant i një batalioni në zonën e Llapit.
Për periudhën e pasluftës, Maqedonci ka thënë se të gjitha tranzicionet kanë qenë sfiduese, përfshirë nga kalimi prej UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Për situatën aktuale të FSK-së si Ushtri të Kosovës, Maqedonci ka thënë se ajo është ushtri profesionale e shembull për rajonin.
“Nga importues të sigurisë jemi bërë eksportues të sigurisë”, ka thënë ai.
Maqedonci ka thënë se Kosova po ndërton ushtri me standarde të NATO-s.
VIDEO: