Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se kontingjenti i Forcës së Sigurisë (FSK) që do të zbarkojë në Gazë, do të fokusohet në disa aktivitete, përfshirë çminimin dhe operacionet speciale.
Në një prononcim për KOHËN, ditën kur FSK-ja bëri të ditur se komandanti i saj, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka dërguar një ekip në këtë territor palestinez, për t’u njohur me zonën ku do të zbarkojë kontingjenti nga Kosova, ministri Maqedonci tha se ky moment përbën hap shumë të rëndësishëm për FSK-në dhe për Kosovën në përgjithësi.
“Për herë të parë, FSK-ja po angazhohet në një mision ndërkombëtar të mbështetjes së paqes në një zonë me ndjeshmëri të lartë dhe në një mision të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, çka dëshmon nivelin e profesionalizmit, gatishmërisë operative dhe besueshmërisë që ka arritur Ushtria jonë, por dhe institucionet tona shtetërore në përgjithësi”, ka thënë Maqedonci të dielen. “Ky është një moment që konfirmon se Republika e Kosovës nuk është vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka theksuar se për kohën kur do të ndodhë dislokimi i plotë i misionit të FSK-së dhe për zonën ku do të vendoset, do të dihet pas kthimit të ekipit në Kosovë.
“Ekipi i FSK-së që ka mbërritur më Gaza është duke zhvilluar atë që njihet në terminologjinë e mbrojtjes si PDSS (Pre-Deployment Site Survey) që nënkupton njohjen e zonës ku do të zbarkoj dhe operoj kontingjenti i FSK-së, koordinimin me partnerët tanë rreth aspekteve logjistike dhe teknike si dhe aspekte të tjera të koordinimit paraprak. Për kohën e zbarkimit të plotë dhe lokacionit të saktë të zbarkimit do të mësohet pas kthimit të ekipit tonë dhe pranimit të informacioneve shtesë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes.
Ai ka treguar aktivitetet në të cilat do të angazhohet FSK-ja.
“Forca e Sigurisë e Kosovës në Gazë do të zbarkojë me kapacitete të kombinuara, ku përfshihen çminimi dhe eliminimi i mjeteve të pashpërthyera, operacionet speciale, ekip mjekësor dhe oficerë planifikues. Detyrat e detajuara do të përcaktohen në periudhën në vazhdim, por në përgjithësi do të jenë detyra të karakterit humanitar, detyra të sigurisë dhe mbështetjes së civilëve dhe rimëkëmbjes së përgjithshme të gjendjes atje”, ka thënë ministri Maqedonci.
Ekipi i FSK-së ka mbërritur në Gazë, në udhëtimin e parë në një mision ndërkombëtar paqeje. Ajo do të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare në Gazë.
Pjesëmarrja e FSK-së në kuadër të këtij misioni u autorizua këtë muaj nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pasi paraprakisht Kuvendi miratoi vendimin e Qeverisë për këtë mision.