Mungesa e aparaturës së rëntgenit dhe e ultrazërit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan ka vështirësuar ofrimin e shërbimeve në këtë institucion. Këshilltarët me profesion mjek, në seancën e Kuvendit Komunal mbajtur të hënën, kanë kërkuar që me urgjencë të riparohen ose të blihen pajisjet e reja, meqë, sipas tyre, është bërë i pamundur diagnostikimi i sëmundjeve. Ata kanë përmendur edhe shërbimin e mamografisë për të cilin thonë se nuk ofrohet për afro gjashtë vjet.
Fitim Mëziu, specialist i mjekësisë familjare, njëherësh këshilltar i pavarur, ka thënë se dikush duhet të marrë përgjegjësi për mosaftësimin e aparaturave.
“Duhet të bëhet një kombinim në mes të humanizmit dhe profesionalizmit për ta arritur qëllimin parësor që qytetarëve tanë t’i ofrojmë shërbime sa më cilësore, në këtë rast ne e përmendëm edhe mosfunksionimin e aparatit të rëntgenit edhe pse komuna ka paraparë që vitin e ardhshëm ta blenë një aparat të ri, pasi që ky është i vjetruar, është i viteve ‘70”, ka thënë Mëziu.
Ai nuk i ka arsyetuar vonesat, meqë, sipas tij, komuna ka kapacitete për të investuar.
“Mungesa e këtyre aparaturave po e vështirëson punën tonë e sidomos mungesa e rëntgenit dhe mamografisë të cilat janë të domosdoshme”, ka shtuar ai.
Edhe Egzona Bytyqi, mjeke në QKMF dhe këshilltare nga radhët e PDK-së, ka kërkuar nga ekzekutivi të themelohet një fond i veçantë për t’i mbështetur gratë e prekura me kancer të gjirit.
“Mamografi fatkeqësisht është jashtë funksionit. Kemi problematika sa i përket rëntgenit si pjesë diagnostike dhe ultrazërit. Ne shfrytëzuam foltoren e Kuvendit që ndër të tjerash të kërkojmë që këto aparatura sa më shpejt të jenë funksionale. Prandaj duke i parë pacientët që kanë sëmundje malinje dhe ato që janë të prekura me kancer të gjirit, ideja jonë është që komuna të ofrojë mbështetje financiare nëpërmjet një fondi të qëndrueshëm për këta pacientë”, ka thënë Bytyqi.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, Shkelzen Hajdini, ka thënë se aparatura e mamografisë është e kushtueshme, ndërkaq për aparaturën e rëntgenit, sipas tij, janë duke bërë përpjekje që të blihet gjatë vitit të ardhshëm.
“Ka disa vite që mamografi është jashtë funksionit dhe nuk ka ndonjë kompani e cila po e arrin ta servisojë”, ka thënë Hajdini.
Ai u ka kërkuar këshilltarëve që të bashkëpunojnë në adresimin e këtij problemi tek donatorët.