Një mami e Klinikës së Gjinekologjisë thotë se është detyruar të japë dorëheqje nga puna pas 40 vjetësh shërbim, meqë drejtori i Klinikës ia mohoi të drejtën për pushim pa pagesë, që e kërkoi pas një ndërhyrjeje kirurgjike në vesh, e cila i shkaktoi marramendje afatgjatë. Ajo thotë se konform rregullave, siguroi nënshkrimet e tre mjekëve që rekomandonin pushimin, por drejtori nuk ia mori parasysh
Katër vjet pa u pensionuar, Sanie Maloku u detyrua të hiqte dorë nga puna si mami në Klinikën e Gjinekologjisë.
Vendimin e mori në nëntor të vitit 2022, pasi menaxhmenti i Klinikës ia pamundësoi pushimin pa pagesë që, sipas një dokumenti që ia prezantoi KOHËS, ia rekomanduan tre mjekë pas një intervenimi kirurgjikal në veshin e mesëm.
61-vjeçarja thotë se kishte marramendje të vazhdueshme dhe se kjo nuk u mor parasysh nga drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj.
“E mora prej mjekut dr. Xhevdet Latifit, më dha me tri nënshkrime për me pasë unë të drejtë me pasë pushim gjashtë muaj pa pagesë. Edhe shkova unë për të rregulluar dokumentet, por që së pari duhet si zakonisht prej drejtorit tonë me ta dhanë nënshkrimin që ki të drejtë me protokollu dokumentet. Edhe një javë ditë kam shkuar duke e lutur, më ka thanë që jo nuk ta nënshkruaj”, ka thënë Maloku.
Por drejtori Ndrejaj tha se atij nuk iu prezantua raporti për pushimin, i vulosur nga 3 mjekë. Sipas tij, në raste të tilla asnjë kërkesë nuk refuzohet.
“Mamia në fjalë te ne nuk ka ofruar asnjë kërkesë apo dëshmi me shkrim nga komisioni mjekësor prej 3 anëtarësh, ku secilit i lejohet apo rekomandohet ndonjë lloj pushimi pa pagesë apo pushim mjekësor. Kërkesa për pushime pa pagesë dhe pushime mjekësore në KOGJ ka mjaft. Asnjëherë nuk refuzohen kërkesat e stafit nëse janë të arsyetuara dhe të rekomanduara nga konsiliumi i mjekëve specialistë prej 3 anëtarëve, të cilat janë të vulosura dhe të cilat rekomandojnë ndonjë lloj pushimi”, u shpreh drejtori Zef Ndrejaj.
Mamia që u detyrua ta lërë punën katër vjet pa e mbërri moshën e pensionimit, tha se disa herë e ka drejtuar kërkesën e njëjtë te drejtori Ndrejaj, porse i ishte refuzuar me arsyetimin se nuk ka dokumente të mjaftueshme.
“I thashë, unë veç me e lëshu punën. Më tha, lëshoje more nuk më intereson, lëshoje punën. Edhe shkova te puna, një gjysme ore, një orë, pushova aty dhe dola dhe desha me shku në shtëpi dhe më pa rastësisht në korridor dhe më tha a të paska kalu a? I thashë, o doktor Zef, mos bo hajgare me mua. Nuk është se më ka kalu, po unë jam duke ardhë prej zori këtu veç me të thanë nënshkruama këtë që të shkoj ta protokolloj dhe të shikoj a po mundem me marrë pushim pa pagesë 6 muaj ditë që më takon se të tjerët po e marrin për qejf”, ka treguar infermierja Maloku.
E në Klinikën e Gjinekologjisë thonë se nga dokumentacioni i infermieres, figuron se që nga data 24 tetor 2022 ka dhënë dorëheqje.
“Zonja në fjalë, pasi që i kemi kontrolluar dosjen - dokumentacionin e saj, figuron se ajo më datë 24.10.2022 ka dhënë dorëheqje nga pozita e infermieres në KOGJ për nevoja personale. Nuk jep asnjë arsyetim tjetër”, ka shtuar Ndrejaj.
Pushimi mjekësor pa pagesë është i rregulluar edhe me Ligjin e Punës. Sipas nenit 40 të këtij ligji, në bazë të kërkesës së të punësuarit, punëdhënësi mund të lejojë që i punësuari të mungojë nga puna pa kompensim të pagës.