Arbëri

Maliqi: Skenari më i mundshëm, të kemi qeveri të brishtë deri në pranverë

Analisti politik Agon Maliqi ka deklaruar se skenari më i mundshëm pas dështimit të njëpasnjëshëm për konstituimin e Kuvendit është formimi i një qeverie të përkohshme dhe të brishtë, që mund të zgjasë vetëm deri në pranverën e vitit të ardhshëm, kur pritet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Sipas Maliqit, edhe nëse arrihet të formohet Kuvendi, nuk do të ketë një qeveri stabile apo afatgjatë.

“Kurti është shumë i paqartë se mund të krijojë një qeveri që zgjat katër vjet. Ka hezitim për të formuar një qeveri të brishtë, e cila as nuk mund të prodhojë rezultate e as t’i shërbejë si narrativë për zgjedhje të reja”, u shpreh ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Të martën (sot) dështoi për herë të 47-të konstituimi i Kuvendit.

Ai shtoi se edhe situata ndërkombëtare dhe rajonale ka ndikuar në këtë pasiguri politike, me kryeministrin në detyrë që, sipas tij, ka kërkuar të kuptojë më mirë pozicionet e Gjermanisë dhe SHBA-së përpara se të marrë vendime të mëdha.

“Sqarimet e Gjykatës Kushtetuese ia kanë kufizuar hapësirën Kurtit. Tash o duhet të konstituohet Kuvendi, o të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje afatgjatë dhe nuk gëzojnë mbështetje të gjerë politike.

Sa i përket deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, Maliqi ka thënë se këto janë më shumë dramatizime sesa ka diçka përmbajtjesore.