Arbëri

Maliqi: Kurtit s’i pëlqen të ndajë pushtetin, opozita me të drejtë nuk i beson

Analisti politik Agon Maliqi ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dëshmuar se dëshiron të qeverisë i vetëm dhe se nuk i pëlqen të bëjë konsensus për bashkëqeverisje me të tjerët. Sipas tij, shembujt nga e kaluara i japin të drejtë opozitës të mos i besojë Kurtit për bashkëqeverisje.

Kurti është mandatar për një qeveri të re, pas konstituimit të Kuvendit nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ai ka kohë deri të dielën të çojë në Kuvend ekipin qeverisës dhe të sigurojë shumicën për të qeverisur. Deri tash zyrtarisht nuk ka marrëveshje që ia siguron numrin prej 61-votash. Lëvizja Vetëvendosje i ka 48 deputetë.. Ai e ka përkrahjen edhe prej 7 deputetëve të komunitetit joserb si dhe të Nenad Rashiqit. E i duhet t’i sigurojë edhe së paku 5 deputetë.

Sipas Maliqit, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ai ka thënë se Kurti ka hezituar që prej shkurtit të ndërtojë një qeveri. Sipas tij, është në pikëpyetje edhe çështja nëse Kurti dështon e mandatari i takon partisë së dytë.

“Është e qartë që Kurti prej kur e ka kuptuar rezultatin në shkurt, ka hezituar ta ndërtojë një qeveri. Një qeveri me 61-62 vota është e dobët e cila gjithmonë do të varej nga prezenca e njërit apo dy deputetëve - nga teket e tyre. Nuk do ta zgjidhte as çështjen e presidentit. Këtë e ka diktuar rezultati, pra një koalicion me një parti shqiptare. Kjo s’i është dukur i pëlqyer Kurtit dhe kemi parë gjithë këta muaj përpjekje për të blerë kohë, për të mbetur kryeministër në detyrë, me shpresën se ndërkohë ka përçarje në opozitë, se mund të ndryshojë situata pas zgjedhjeve lokale, që këto 6 muaj t’i shfrytëzojë për të shpërndarë favore, siç ishin ato për studentë para zgjedhjeve. Elektorati ia ka imponuar konsensusin, por mendoj se synim i tij është të shkohet në zgjedhje në një opozitë të përçarë, e me Nismën e AAK-në që në rast të zgjedhjeve të reja rrezikojnë pragun dhe ndoshta edhe njëherë të bëhen llogaritë nga fillimi”, ka thënë ai në “60 Minuta” në KTV.

Sipas Maliqit, e kaluara ka treguar se Kurti nuk dëshiron të qeverisë me kompromise me të tjerët.

“Është shumë i bindur vetëm në agjendën e vet dhe partneritetet si në opozitë si në pushtet është munduar t’i instrumentalizojë të tjerët në favor të pushtetit të tij. Te bota e tij nuk ka hapësirë për kontradikta, kundërshtime. Vërehet edhe brenda partisë së tij që kushdo që ka pasur zë ndryshe është larguar. S’është njeri që dëshiron të ndajë pushtet. Më parë do të shkonte në zgjedhje për të siguruar një shumicë vetëm me pakicat joserbe sesa të bashkëpunojë me ndonjërën prej partive shqiptare”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij, refuzimi i partive opozitare për bashkëpunim me Kurtin po vjen pikërisht nga frika se ai mund t’i shfrytëzojë.

“Opozita e ka të qartë bashkëpunimin me të. Çfarëdo bashkëpunimi mund t’i çojë në shkatërrim si parti.... edhe mënyra se si u është ofruar partive ka qenë poshtëruese. Me LDK-në para disa muajsh e edhe tash në Vushtrri ku u paraqit si Zot në atë skenë. Duke nënshtruar ish-kandidatin e LDK-së... Partitë tjera po e shohin përpjekjen e Kurtit si t’i shfrytëzojë për të rritur pushtetin e vet. Unë besoj se kanë arsye për të pasur mosbesim në seriozitetin dhe qëndrueshmërinë e çfarëdo koalicioni me Kurtin”, ka thënë tutje ai.

Ai ka thënë se partitë po e shohin si çështje ekzistenciale bashkëpunimin me VV-në.

Skenari më i mirë po që se dështon Kurti që ta formojë Qeverinë, sipas Maliqit do të ishte një marrëveshje e opozitës apo e të gjithëve për qeveri teknike për t’i kaluar disa ligje dhe buxhetin, para shkuarjes në zgjedhje. E sipas tij, po që se shkohet sërish në zgjedhje tash, “është mirë që Kurti të mos mbetet kryeministër sepse po ka terren të pabarabartë të garës po shfrytëzohet për efekte elektorale”.

Në rast të zgjedhjeve të reja, Maliqi ka thënë se nuk sheh arsye përse vota e VV-së do të rritej në raport me 42 përqindëshin e shkurtit. Ai ka thënë se mund të ketë dallime në margjina, por kjo, sipas tij, mund të kishte ndryshime të mëdha në Kuvend nëse AAK-ja dhe Nisma rrezikojnë pragun.