Arbëri

LVV-ja shpalos gjetjet e Auditorit për Prizrenin, fton prokurorinë t’i hetojë parregullsitë

Karafil Haxhillari, shefi i grupit të këshilltarëve të LVV-së në Prizren, ka thënë se gjetjet e shpërfaqin paaftësinë e qeverisjes aktuale lokale, të udhëhequr nga Partia Demokratike (PDK), të cilën e ka akuzuar për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë së taksapaguesve

Katërmbëdhjetë gjetje dhe rekomandime të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Komunën e Prizrenit i ka prezantuar të shtunën qendra lokale e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nëpërmjet një konference shtypi.

Karafil Haxhillari, shef i grupit të këshilltarëve të LVV-së në Prizren, ka thënë se gjetjet e shpërfaqin paaftësinë e qeverisjes aktuale lokale, të udhëhequr nga Partia Demokratike (PDK), të cilën e ka akuzuar për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë së taksapaguesve.
“Të punësuarit me kontratë për kohë të pacaktuar, në pozitën vozitës në QKMF, tre muaj para skadimit të kontratës i është bërë kontratë e re me afat të pacaktuar, pa zhvilluar procedurë të re të rekrutimit. Që i bie që i punësuari për kohë të pacaktuar, pa ‘kunkurru’ qysh thonë ata, bëhet i punësuar i përhershëm. Prokuroria këtu ka mjaft material për veprim”, ka thënë ai. “Në Prizren, kjo qeverisje lokale nga buxheti i mallrave dhe shërbimeve paguan rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve me asfalt, i cili shpenzim i takon kategorisë së investimeve kapitale. Këtu qartazi kemi konsumim të veprës penale, ku prokuroria urgjent duhet të veprojë. Po ashtu, nga kategoria e investimeve kapitale bëhet pagesa e shujtave që i takon kategorisë për paga dhe mëditje”

Haxhillari ka thënë se për këto parregullsi subjekti i tij ka raportuar edhe më herët, përderisa ka ftuar Prokurorinë që të ndërmarrë hetime edhe për gjetjet që ndërlidhen me shpenzimin e buxhetit.

E asamblistja, Dafina Alishani, ka shpalosur parregullsitë e evidentuara nga Auditor që i takojnë rrafshit të vonesave në pagesën e obligimeve financiare, të regjistrimit të shpenzimeve joadekuate në kategori ekonomike, të vonesave në realizimin e projekteve kapitale si dhe të atyre në procedurat e prokurimit publik.

“Vonesat i kemi nga 1 në 237 ditë. Pra, nuk i mjaftojnë 237 ditë këtij kryetari për ta bërë një pagesë të një fature. Është krekosë shumë, është thirrur shumë në menaxhim të performancës, por po e shohim që nuk munden. Nuk është në gjendje ta bëjë një pagesë të thjeshtë të një fature”, ka thënë ajo.

Në letrën e konfirmimit, të cilën kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ia ka dërguar ZKA-së, ai shkruan për pajtueshmëri me gjetjet dhe rekomandimet, por pa dhënë ndonjë koment mbi përmbajtjen e raportit.

E në pyetjet e KOHËS lidhur me raportin e Auditimit dhe për akuzat e drejtuara nga përfaqësues të LVV-së, në Komunën e Prizrenit nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së shtunës.