Arbëri

LVV-ja në Lipjan akuzon ekzekutivin për keqmenaxhim të parasë publike

Lëvizja Vetëvendosje dega në Lipjan, ka kritikuar qeverisjen lokale për punime jo cilësore në rrugën “Shqipëria” dhe “Hajredin Bajrami”, duke thënë se rrethrrotullimi që lidh këto rrugë dhe dy të tjera është hartuar nga njerëz joprofesionalë.

Sipas LVV-së, hartimi i projektit në përgjithësi për asfaltimin e këtyre rrugëve dhe për ndërtimin e rrethrrotullimit është bërë me qëllim që mos të rrënohen disa terrasa të bizneseve në pronë publike që udhëhiqen nga njerëz të afërt të pushtetit.

Shkëlzen Bislimi, anëtar i kryesisë së kësaj partie, njëherësh kuvendar në Kuvendin Komunal, nëpërmjet një reagimi ka thënë se rrethrrotullimi nuk është vendosur në mes të rrugës, derisa nuk janë bërë matjet e duhura, andaj sipas tij, kjo shkakton telashe dhe vështirësi për automjetet e transportuese dhe autobusët.

“Fillimisht shumë vjet më parë kjo rrugë ka qenë e projektuar që të ndërtohej me katër korsi, ndërkohë ekzekutivi aktual e ka ndryshuar projektin dhe e asfaltoi këtë rrugë me tri korsi duke e ngushtuar rrugën për interesa të individëve të caktuar të cilët kanë zgjeruar terrasat e bizneseve në pronë publike. Kjo qeverisje duke u ngutur që ky projekt të finalizohet para zgjedhjeve të ardhshme lokale ka bërë gabime në matje, madje edhe rrethrrotullimi nuk është vendosur në pikat e caktuara. Pra, rrethrrotullimi është dashur të ndërtohet në mes të rrugëve në mënyrë që qarkullimi të jetë më i lehtë për automjetet e rënda dhe autobusët që qarkullojnë vazhdimisht”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, ky keqmenaxhim i parasë publike po i kushton qytetarëve të kësaj komune.

“Projekti i rrugës me katër korsi ishte i hartuar për të mirën e qytetarëve me arsyetime se ka hapësirë të mjaftueshme, ndërkaq të ngushtohet rruga për interesa të caktuara të uzurpatorëve. Kjo është e papranueshme për të gjithë, prandaj kësaj qeverisje do t’i vije fundi ashtu siç ka keqpërdorur edhe me shumë projekte të tjera”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, rreth kësaj çështje KOHA ka provuar të marrë një deklaratë nga drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, por ai nuk ka qenë i qasshëm.