Arbëri

Lutfiu: Brenda këtij viti u pasivizuan 200 adresa në Luginë

Nevzad Lutfiu

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka akuzuar Serbinë për racizëm dhe spastrim të pastër etnik në Luginë të Preshevës.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se situata është e frikshme.

Lutfiu ka thënë se nga janari në korrik në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërkaq në Bujanoc 26.

“E frikshme, po shuhemi! Më datë 04.08.2025, i kërkova qasje në informacione stacioneve policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen: Sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, nga janari deri në korrik 2025? Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa. Dyshoj se të dhënat për Komunën e Bujanocit janë të sakta (jam në pritje të një përgjigjeje tjetër për ta vërtetuar)”, ka thënë ai.

Sipas tij, në total, brenda 7 muajve, në këto dy komuna me shumicë shqiptare janë pasivizuar 200 adresa.

Ka shtuar se kjo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik.

“U bëj thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar”, ka thënë ai.